Lladrovci nderon heroin Shaban Shala: Jeta dhe veprën e tij atdhetare, mbetet e çmuar për ne dhe brezat që do të vinë

Në përvjetorin e 12-të të kalimit në amshim të heroit Shaban Shala, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë homazhe dhe vendosi kurora me lule, pranë varrit të tij në Memorialin e Dëshmorëve në Prishtinë.

“Sot, me nderim u përkula para varrit të tij, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij atdhetare, e cila mbetet e çmuar për ne dhe brezat që do të vinë”, ka shkruar Lladrovci.

Postimi i plotë në fb:

Me familjarë, miq, shokë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë, kemi marrë pjesë në homazhe dhe vendosa buqetë me lule, për nder të 12 vjetorit të kalimit në amshim të Gjeneral Shaban Shalës, në Memorialin e Dëshmorëve në Prishtinë.

Jeta ime ishte e lidhur me vëllezërit Shala, ndërsa njohjen me Shabanin e kisha nga rinia ime e hershme, në fillim të viteve ’80, kur në shtëpi te Feha vinin atdhetarët nga të gjitha trojet etnike, Ali Ahmeti, Idriz Hysenaj, Fadil Bajrami, Musa Xhaferi, Tahir Hani, Nuhi Ahmeti, Avdulla Dërguti, Shaban Muja, Azem Syla, Avdyl Krasniqi dhe atdhetarët tjerë që ishin në ballë të veprimtarisë dhe luftës çlirimtare.
Jam shumë i lumtur kur para 33 vitesh për herë të parë i njoha mes vete, Shabanin dhe Jakup Krasniqin, Gani Sylën me Komandantin tonë legjendar, Adem Jasharin, të cilin pas sulmit të parë të forcave serbe edhe e strehoi në shtëpinë e tij.

Bashkëpunimi me Shabanin ishte shumë i frytshëm para fillimit dhe gjatë luftës çlirimtare, pastaj sa ishim në TMK, duke kontribuar fuqizimit të Ushtrisë tonë, pasardhëse e UÇK-së. Andaj sot, me nderim u përkula para varrit të tij, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij atdhetare, e cila mbetet e çmuar për ne dhe brezat që do të vinë.

Lavdi jetës e veprës së Heroit Shaban Shala!

Lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

https://www.facebook.com/share/p/GVpwoL5DQQANvC86/?mibextid=WC7FNe

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d