Lirohet nga paraburgimi njëri nga ish-administratorët e “Albkings”

 

 

Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka ndërprerë masën e paraburgimit Edin Nevzadit, i cili është i dyshuar si njëri nga administratorët e grupit në Telegram “AlbKings”, nga i cili po denigroheshin gratë dhe vajzat.

Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” Gjykata Themelore e Prishtinës, duke bërë të ditur se lirimi i të njëjtit është bërë pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Për njoftimin tuaj me datë 17.10.2024 gjykata ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kërkesën për ndërprerjen e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit E.N. Prokuroria e ka njoftuar gjykatën se ka ardhur në përfundim, që ndaj të pandehurit E.N kanë pushuar shkaqet për të cilat është caktuar masa e paraburgimit, pasi që i njëjti në prezencën e mbrojtësit të tij sipas autorizimit, ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, po ashtu i pandehuri ka dhënë adresë të saktë të vendqëndrimit në Republikën e Kosovës, ku janë edhe familjarët e tij dhe ka premtuar se deri në përfundim të procedurës penale do të paraqitet çdo herë, kurdo që ti kërkohet nga ana e Prokurorisë dhe Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Themelores.

Sipas Gjykatës, të dyshuarit Nevzadi masa e paraburgimit nuk i është zëvendësuar me ndonjë masë tjetër, pasi nuk ka pasur kërkesë nga prokuroria.

“Gjykata pas vlerësimit të propozimit të Prokurorit të Shtetit ka vlerësuar se kanë pushuar kushtet ligjore për mbajtjen e mëtejme nën masën e paraburgimit, andaj, duke zbatuar nenin 182 par.3 të KPPRK-së, të pandehurit E.N i është ndërprerë masa e paraburgimit, të njëjtit nuk i është zëvëndësuar me ndonjë masë tjetër, pasi nuk ka pasur kërkesë nga prokuroria”, thuhet me tej në përgjigjen e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

I dyshuari Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryeri veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”.

Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës AA., dhe numrin e telefonit të të dëmtuarës BB, kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d