Viti i projekteve të mëdha siç e quajti 2024-ën kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nxiti reagime të shumta ndaj tij, pasi përmendi një “projekt madhor që ndërlidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë dhe Hotelin Grand”. Disa e quajtën amator, por të tjerë thanë se kjo është një shpikje.
Rama, i cili ka premtuar projekte të mëdha, këtë të fundit, e prezantoi përmes disa pamjeve 3D, që i publikoi në Facebook, ku shkroi se këtë muaj “do të shpallet thirrja për kompaninë ndërtimtore për këtë projekt transformues që zgjidhë shumë probleme për qytetarët e Kryeqytetit.”
Disa nga qytetarët siç duket i kanë analizuar goxha shumë këto fotografi dhe i kanë reaguar Ramës ashpër, duke shkruar se “arkitektët e tu janë amatorë, nuk dinë rregullat teknike e profesionale”.
“I nderuari Kryetar Perparim Rama mu deshten vetem 5 minuta me pa se Arkitektat e tu jane amator dhe nuk dine rregullat teknike e profesionale ku se pari shtyllat i kane vendos ne hekurudhe e qe nuk lejohen me ligj e as te zbatushme teknikisht ne rast operimi te hekurudhes. Pa i hy analizes per gabime te tjera e zgjidhjes apo funksionit. Prandaj, nuk transformohet Prishtina me amator.”
Ndërsa Albert Krasniqi, përmes një postimi ka ironizuar, duke e publikuar një fotografi me disa shkallë, duke thënë se janë “lidhja e vetme e Arbërisë me Qendrën.
“Kryetari i Kryeqytetit don me kry mandatin me vizatime 3D. Ne teren, lidhja e vetme e Lagjes Arberia me Qendren mbetet kjo shkalle e drunit. Me gjase shpijke e Drejtorise se re per Transformim!”
E ka pasur edhe të atillë që ia kanë numëruar problemet tjera në kryeqytet, duke iu drejtuar Ramës se projekte si ky mund të realizohen në vende të tjera.