Letra e kryediplomates për KiE, Zyra e Kurtit: Ta shohim a do pranohet për herën e tretë

 

 

Donika Gërvalla-Schwarz, ministrja e Punëve të Jashtme, i ka shkruar letër Këshillit të Evropës, dhe e ka njoftuar se Kosova po përgatit një draft-statut për themelimin e “një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

“Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimi e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serbe të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin e ministres të bërë kë mëngjes në Facebook, shkruan Gazeta Sinjali.

Për këtë çështje ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ai shkruan se dy oferta të kryeministrit Albin Kurti për draft-statutin e Asociacionit “janë refuzuar” më herët.

“Premtimi i zëvendëskryeministres Donika Gërvalla-Schwarz në letrën dërguar Byrosë së Këshillit të Evropës është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë me 18 mars 2023 në Ohër, e me 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draft-statut për Asociacionin bazuar në nenin 7 ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023)”, shkruan Kryeziu.

“Oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht (I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023). Oferta e dytë ishte e frymëzuar nga modeli kroat e i cili është gjithashtu në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Të dy këto oferta të kryeministrit Kurti janë refuzuar. Të shohim a do pranohet për herën e tretë”.

Kryeziu thotë se tash “varet nga bashkësia ndërkombëtare”, nëse ajo “e pranon tash, një vit pas, një ofertë të tillë”.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një oferte të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë”, tha tutje Kryeziu.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d