Lidhja Demokratike e Kosovës ka arritur marrëveshje për bashkëqeverisje në Prishtinë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Kjo është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga kryetari i degës në Prishtinë, Brahim Mehmetaj.
Mehmetaj theksoi se AAK ka qenë për një periudhë të gjatë në bisedime me LDK-në, ndërsa shtoi se partia ku ai bën pjesë do t’i ketë tri drejtori, atë të Sportit, të Administratës dhe Mobilitetit.
“Është arritur një marrëveshje ku neve na mundësohet që ta zbatojmë punën tonë për të mirën në raport me shtëpinë tonë, kryeqytetin tonë. Ne si Aleancë kemi marrë pjesë në zgjedhjet lokale që të na mundësohet dhënia e kontributit për të mirën e qytetit, dhe pastaj nuk e kemi arrit atëherë që ta bëjmë një marrëveshje edhe pse e kemi përkrah Ramën në balotazh. Kemi pas disa kontakte, dhe në fund kemi ardh në përfundim që do të marrim pjesë që të kontribojmë me mundësitë tona për të mirën e Prishtinës”, tha fillimisht Mehmetaj për Reporteri.net.
“Bisedat janë gjatë, 3-4 muj biseda, herë jemi dakordu herë jo, por në fund na ka lidh interesi për Prishtinën. Ne kemi Drejtorinë e Administratës, të Sportit dhe Mobilitetit, por pastaj kemi qasje edhe në mundësi tjera për kontribut direkt”, shtoi ai.
Mehmetaj tha se e gjitha është bërë për të mirën e qytetarëve, dhe krahas drejtorive, u është lejuar edhe qasja direkt në punët e Prishtinës, në të kundërt kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë tha se s’do të pranonin.
“Dakordimi është bërë më herët, por gjithmonë kemi diskutuar për detajet. S’kishim pranu me hy, nëse s’kishim pas qasje direkte në punët e mira për Prishtinën. Angazhimi ynë është në të mirë të qytetarëve”, tha ai.
Tashmë për dy drejtori, Mehmetaj tha se kanë caktuar edhe emrat, e që janë Kushtrim Mushica për Drejtorinë e Sportit, dhe në atë të Administratës, Valbona Ajeti Vitija, ndërsa për në atë të mobilitetit ende s’kanë vendosur për shkak se siç tha ai s’është formuar ende në plotësi kjo Drejtori.
“Kemi caktuar dy drejtora, në Drejtorinë e Sportit, Kushtrim Mushicën, ai e njeh shumë mirë dhe do ta udhëheq, dhe një zonjë në Administratë, Valbona Ajeti Vitija e cila deri tani ka qenë e angazhuar në arsim, por ka përvoja edhe në menaxhim. Në Drejtorinë e Mobilitetit si kemi akoma kompetencat, plaprogramin, buxhetin dhe fushëveprimin derisa kjo drejtori të themelohet në plotëni, e pastaj e përshtatim edhe kandidatin, por besoj kryhet shpejt edhe kjo”, tha kryetari i degës së AAK-së në Prishtinë, Brahim Mehmetaj.