23-vjeçarja e cila u lëndua nga rënia e kulmit të objektit të Komunës së Prishtinës më 18 janar, po vazhdon ende trajtimin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Ajo aktualisht është në gjendjen stabile dhe se po trajtohet.
Gazeta ka kontaktuar me shefin e Mjekimit Intensiv në QKUK, Shaqir Uka, i cili tha se gjendja e pacientes është stabile dhe se është larguar nga aparaturat, por që duhet ende t’i vazhdohet mjekimi në kujdes intensiv.
“Vajza po vazhdon të qëndrojë dhe të merr trajtimin mjekësor edhe më tutje në Shërbimin Intensiv Qendror. Sa i përket parametrave vital, gjendja është relativisht stabile, ne kemi arritur që ta largojmë nga aparatura mjekësore, por ajo edhe më tutje ka nevojë të qëndrojë dhe të jetë e monitoruar në shërbimin klinik intensiv”, tha Uka për Sinjalin.
Kujtojmë se deri tash, dy persona janë arrestuar lidhur me rënien e çatisë së ndërtesës së Komunës së Prishtinës.