Lamine Yamal e pret “El Clasicon” me guxim. Pa asnjë frikë. Rritja e tij si lojtar ka qenë spektakolare brenda pak muajsh. Ambicia për të menduar në mënyrë të madhe e motivon, dhe në një intervistë për LaLiga World, ai tregoi ndjesitë e tij përpara ndeshjes me Real Madridin.
Atmosfera armiqësore që do të hasë në Santiago Bernabeu nuk do ta trembë. Ai e tregoi këtë në Europian kur udhëhoqi kombëtaren spanjolle kundër Gjermanisë pritëse në Stuttgart, me stadiumin që mbështeste ekipin vendas në çerekfinale të Europianit.
“Këtë vit kur e marr topin ndjej se si fillojnë ulërimat e tribunës, dhe kjo më motivon shumë”, tha Lamine.
Jashtë fushe nuk fshihet, dhe në Montjuïc është e zakonshme ta shohësh teksa ngre duart sa herë që ka një goditje këndi ose aut për të kërkuar ndihmën e tifozëve culers.
Lamine do të ketë përballë një kundërshtar të fortë si Ferland Mendy, por prania e tij nuk do të ndryshojë stilin e tij të lojës.
“Zakonisht e vështroj mbrojtësin anësor dhe shkoj drejt tij me gjithçka. Është një ndjesi që nuk e kam pasur kurrë më parë”.
Elementi motivues i Lamine Yamal është i jashtëzakonshëm.
“Është si të kem nënën përpara meje duke më thënë të sulmoj kundërshtarin. Është një ndjesi që nuk mund ta përshkruaj, por që është e pabesueshme”.
Sulmuesi blaugran shpjegon se familja ka luajtur një rol themelor për të pasur një sjellje të mirë në fushë, pavarësisht nga loja e ashpër që nganjëherë merr. Lamine konsideron se “gjëja më e rëndësishme për një person është të jesh ashtu si të kanë edukuar prindërit. Kështu shihet kush je.”
Në prag të klasikes, Lamine nuk heziton dhe pohon se “do të më pëlqente të kujtohesha në historinë e Barçës si një legjendë. Falë Barcelonës jam kush jam. Ajo më ka dhënë gjithçka.”
Objektivi i yllit të Barcelonës është të vazhdojë për shumë vite duke mbrojtur fanellën blaugrana, deri në atë pikë sa aspiron të “jetë gjithë jetën te Barça,” edhe pse është i vetëdijshëm që është shumë i ri.
Lamine Yamal është rritur shumë shpejt. Në moshën 16-vjeçare ishte tashmë një referencë për Barçën dhe kombëtaren spanjolle. Në moshën 17 vjeç, ai vazhdon të tregojë çdo ditë nuanca të reja të lojës së tij në formën e driblimeve, pasimeve të pamundura ose reagimeve të papritura me topin në këmbë.
Leximi i tij i lojës është spektakolar. Në Bernabeu dëshiron të shfaqë edhe një herë klasin e tij dhe të arrijë një fitore që do të linte Barcelonën me gjashtë pikë përpara rivalit të përjetshëm në tabelën e renditjes së Ligës.