Gazeta raportoi se një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmë në lagjen Marigona Hill në Prishtinë, ku një punëtor i një kompanie që po kryente punime, humbi jetën. Policia ka nisur hetimet për vdekjen e tij dhe rasti tashmë është konfirmuar.
Burimet brenda Emergjencës kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një 47-vjeçar, i cili alivanosur, por pasi intervenoi ekipi mjekësor u konstatua se ka ndërruar jetë.
Sinjali ka mësuar se viktima është Mujë Morina, i cili ka qenë punëtor i kompanisë ndërtimore N.SH. “Natyra”.
Sipas informacioneve që posedon gazeta, Morina, i cili është nga fshati Zajm i Klinës, ka qenë i kërkuar pasi ndaj tij ka pasur urdhëresë aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë.
Ndryshe, në vendin e ngjarjes janë kryer ekzaminimet e nevojshme edhe nga Policia, si dhe janë marrë deklaratat e disa dëshmitarëve. Trupi i pajetë është dërguar më pas në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.