Njeriu që kreu një sulm me armë zjarri ndaj kryeministrit sllovak, Robert Fico është shkrimtari 71-vjeçar Juraj Cintula. Një burim nga policia e ka konfirmuar këtë informacion për portalin sllovak SME.
Cintula është themelues i Klubit Letrar Duha dhe anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Sllovakë.
Kujtojmë se Fico u qëllua pas mbledhjes së qeverisë në Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të Bratislavës.
Atentati ka ndodhur kur i pari i qeverisë sllovak ka shkuar të takojë mbështetësit që ishin mbledhur para Shtëpisë së Kulturës.
Sipas informacioneve, kryeministri është qëlluar me disa të shtëna në gjoks dhe në bark. Ai u dërgua me helikopter në spital dhe sipas mediave sllovake gjendja është shumë e rëndë. Qeveria sllovake ka njoftuar se jeta e Ficos është në rrezik.