Rastet e mashtrimeve me qëllim përfitimin e kundërligjshëm pasuror janë goxha të shpeshta në vendin tonë. Qytetarët jo rrallëherë bien pre e mashtruesve, që shfrytëzojnë çdo formë të lajthitjes, për të kapur sado pak para ose gjësende me vlerë.
Për një rast të tillë që ka ndodhur në Fushë Kosovë dhe po hetohet qe disa muaj nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Policia ka arrestuar personin e dyshuar gjatë ditës së djeshme.
Gazeta ka mësuar se shtetasi i Maqedonisë është arrestuar të mërkurën, nën dyshimin se i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore kishte falsifikuar një autorizim, ku viktimë është ish vjehrra e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Shafi Asani.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore, brenda afatit ligjor.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Asani ishte denoncuar në muajin janar nga ish vjehrra e tij, e cila e ka akuzuar se e ka falsifikuar një dokument (autorizim) që gjoja se ka të drejt ta bëjë shitjen e një prone.
Raportimi i saj ka aktivizuar Policinë dhe Prokurorin e Shtetit, me ç’rast janë siguruar edhe dëshmitë e nevojshme lidhur me rastin.
Asani do të hetohet për veprën penale “Mashtrimi”.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.