Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Sinjalit për aksionin e Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, që u zhvillua mëngjesin e sotëm, në rajonin e Prishtinës, ku u kapën katër persona të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. Të dyshuarit që u prangosën dyshohen për fajde dhe për bixhoz të paligjshëm.
Siç merr vesh gazeta, personat e arrestuar janë Eduard Gërbeshi, Artur Gërbeshi, Sevdim Abazi dhe Altin Abazi.
Ata po dyshohen se përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.
Gjatë aksionit për kapjen e tyre, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme të parave, 5 automjete, telefona celularë dhe pajisje të ndryshme elektronike.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor do të ushtrohet kërkesa për masën e sigurisë.
Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.