Ky dyshohet të jetë motivi i vrasjes së mbrëmshme në Prishtinë

 

 

Problemet familjare dyshohet të jetë motiv i vrasjes së mbrëmshme në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Lauretë Ulaj. Ajo tha se nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare.

“Nga hetimet preliminare, dyshohet se motivi i kryerjes së këtij akti janë problemet familjare, megjithatë, rezultate nga hetimi do t’i sqarojnë të gjitha rrethanat e këtij rasti”, tha Ulaj.

E dyshuara për vrasjen e mbrëmshme në Prishtinë është dërguar në mbajtje për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë”, si dhe i është sekuestruar arma.

“Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarës, pranë gjykatës kompetente”, tha Ulaj.

Tutje, Ulaj tha se me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

Viktima është Xhevdet Millaku, rreth 60 vjeçar, i cili punonte në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Kurse, gruaja e dyshuar për vrasjen është Nazmije Millaku, rreth 55 vjeçe.

Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha.

Tutje bëhet e ditur se në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja dhe një karikator me 3 fishekë.

“Lidhur me rastin njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë gjetur trupin e pajetë të viktimës mashkull kosovar si dhe janë gjetur 10 gëzhoja dhe katër predha. Në cilësi të provave materiale është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vrasja, një karikator me 3 fishekë. Me vendim të prokurorit i cili ka qenë prezent në vendin e ngjarjes trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion, po ashtu gjatë kontrollit janë gjetur edhe 27 fishekë që janë sekuestruar në cilësi të provave materiale. E dyshuara me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thotë policia në raport./Paparaci

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d