“Kushtetuta lejon vetëm një valutë”, Kurti vazhdon ‘rezistencën’ ndaj ndërkombëtarëve për dinarin

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar në mbrojtje të vendimit për çështjen e dinarit serb, për ta ndaluar përdorimin e kësaj valute në Kosovë.

Kreu i ekzekutivit ka insistuar se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re të çështjes së dinarit është i drejtë, dhe se kjo është konform Kushtetutës së Kosovës, që valuta e vetme në vend të jetë euro, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një intervistë për gazetarin e radio Monocle, Kurti tha se duan të ndihmojnë serbët e Kosovës dhe asnjë Qeveri më përpara nuk ka ndihmuar këtë komunitet se Qeveria aktuale.

Ne nuk po përjashtojmë dinarin, mund të keni dinarë në Kosovë por mjet për pagesa është euro, sipas Kushtetutës mund të ketë vetëm një valutë. Ne duam të ndihmojmë serbët dhe nuk ka qeveri që kur kemi shpallur pavarësinë që i  ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne”, ka thënë Kurti.

Tutje lidhur me vendimin e BQK-së, Kurti ka thënë se fillimisht nuk ka qenë në dijeni. Ai më tej është shprehur se presioni ndaj tij filloi pasi Vuçiq propagandoi se  ky vendim do të sjellë “katastrofë” për serbët e Kosovës.

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore mori këtë vendim, për rregulloren e re dhe bënë mirë. Nuk kisha ide për këtë vendim apo për drafitmin e kësaj rregullore. Gjithçka ishte duke shkuar mirë dhe pa probleme dhe në mes të janarit, pikërisht pasi përgatitjet po shkonin mirë, presidenti serb Vuçiq alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhë prej 1 shkurtit kur dinari do të përjashtohet. Dhe atëherë presioni  ndaj meje filloi, kur Vuçiqi foli“, deklaroi Kurti.

Cili ishte mesazhi i fundit nga ndërkombëtarët rreth dinarit?

I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar në një intervistë dhënë dy ditë më parë, adresoi kritika drejt Qeverisë aktuale, duke thënë se deklaratat e bëra nga zyrtarët e SHBA-së në mënyrë publike flasin mjaftueshëm qartë se ku po shkojnë raportet diplomatike dhe politike në mes të dyja vendeve.

Ai shprehu shpresën se përfaqësuesit e Kosovës do të marrin pjesë në takimin në Bruksel më 27 shkurt, ku do të diskutohet për situatën pas ndalimit të dinarit në Kosovë.

I pyetur se a është diskutuar më herët në dialog politika e re për dinarin me Beogradin, ai tha:

“Ka dy gjëra të rëndësishme për këtë: njëra është se Bashkësia e Komunave me shumicë serbe – formimi i së cilës është obligim dhe për ne duhet të përmbushet – përfshin zgjidhjen e çështjes së dinarit në mënyrë transparente, elektronike në në përputhje me ligjet e Kosovës. Dhe ne e mbështesim atë. Me fjalë të tjera, ky është një problem që do të zgjidhej përmes Komunitetit. Kemi disa shqetësime për këtë: i pari është ndryshimi i papritur i ligjit. Institucionet përgjegjëse nuk i befasojnë qytetarët e tyre me ndryshime administrative që do të prishin jetën e tyre të përditshme.

Tani imagjinoni që Shërbimi i të Ardhurave të Brendshme në Amerikë (IRS) një ditë vendos të ndryshojë sistemin e taksave, pa lëshuar asnjë udhëzim apo njoftim. Epo, kjo do të kishte pasoja të mëdha për biznesin. Së dyti, ata nuk kanë biseduar me komunitetin lokal, i cili varet nga përfitimet sociale nga Serbia. Së treti, Kosova nuk ka dhënë asnjë alternativë, për shembull një grua është drejtuar në ambasadën tonë e cila është 100% e varur nga përfitimet sociale, sepse kujdeset për djalin e saj me aftësi të kufizuara, nuk ka alternativë. Më pas, Kosova refuzoi asistencën teknike të QUINT-it për të gjetur një mekanizëm pagese që do të ishte transparent dhe elektronik dhe nuk do të prishte jetën e njerëzve. Më në fund, në samitin në Shkup (takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së në janar 2024), gjashtë vende diskutuan për një sistem pagese që mund të aplikohet në të gjitha vendet. Pra, gjithçka që duhej të bënte Kosova ishte të priste dhe të merrte një sistem transparent“, deklaroi ai.

Çfarë dihet deri tani për rregulloren e re të BQK-së rreth dinarit?

Autoritetet në Kosovë thanë se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore mbi pagesat me para të gatshme në vend, por lanë të hapur mundësinë për një periudhë kalimtare për zgjidhjen e shqetësimeve të komunitetit serb që vazhdon të përdorë dinarin serb. Kjo ka ngjallur reagimet e menjëhershme të komunitetit ndërkombëtar.

Hyrja në fuqi e rregullores së BQK-së ka ngritur shqetësime edhe te popullata serbe në Kosovë, e cila ka përdorur dinarin serb për të kryer pagesa. Me këtë valutë, pagën e kanë marrë edhe punonjësit në institucioneve serbe në Kosovë, por edhe me dinarë janë paguar edhe pensionet, sipas sistemit serb si dhe shtesat për fëmijë dhe ndihmat sociale.

Gjithashtu, në zonat ku banojnë serbët, dinarët janë përdorur në objektet tregtare, ndërkaq në katër komunat me shumicë serbe në veri, çmimet janë me dinarë.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, paraprakisht e kishte thënë se vendimi i BQK-së rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d