Kritike e madhe e Rusisë, mbështetëse e vazhdueshme e Ukrainës, dhe përkrahëse e idesë që e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian.
Këto janë vetëm disa prej pikave të forta për të cilat njihet kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas. Sa i përket Kosovës, ajo është takuar disa herë me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe ka thënë se mbështet synimet euro-atlantike të këtij shteti.
Emri i 47-vjeçares po përmendet shpesh së fundmi, si mundësi për t’u emëruar si kryediplomate e Bashkimit Evropian në legjislaturën e re të bllokut evropian.
Aktualisht këtë pozitë e mban Josep Borrell.
Liderët e BE-së janë takuar më 17 qershor për të diskutuar emrat e rinj në pozitat kryesore të bllokut, por nuk kanë arritur pajtueshmëri.
Ky ka qenë takimi i tyre i parë pas zgjedhjeve të mbajtura për Parlamentin Evropian më 6-9 qershor.
Pavarësisht rritjes së konsiderueshme të partive të së djathtës ekstreme, partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë kanë dalë të parat.
Kjo nënkupton që shefja aktuale e BE-së, Ursula von der Leyen e Partisë Popullore Evropiane – që ka fituar më së shumti vota – ka shumë mundësi të fitojë një mandat të dytë.
Përveç emrit të Kallasit për pozitën e kryediplomates së BE-së, në qarqet diplomatike po përmendet edhe emri i ish-kryeministrit të Portugalisë, Antonio Costa për pozitën e shefit të Këshillit Evropian, shkruan REL.
E kërkuar në Rusi
Qëndrimi i ashpër ndaj politikave të Rusisë mund të jetë njëra prej dilemave nëse Kallas do të mund të bëhet kryediplomate e BE-së, duke marrë parasysh qëndrimet e disa liderëve evropianë ndaj Moskës, edhe pas nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, thuhet në një material të agjencisë Reuters.
Shembull, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban vazhdon të kultivojë marrëdhënie miqësore me presidentin rus, Vladimir Putin.
Për dallim prej Orbanit, Kallas e ka ngjitur Estoninë lart në listën e vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën për t’i bërë ballë konfliktit.
Emri i saj është në listën e kërkimit të Ministrisë së Brendshme ruse për, siç është thënë, shkatërrimin e monumenteve të epokës sovjetike.
Estonia, bashkë me Letoninë dhe Lituaninë, kanë rrëzuar shumicën e monumenteve të kësaj periudhe, sidomos ato që përkujtojnë ushtarët sovjetikë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore.
E lindur në Tallin, ajo është stërmbesa e shefit të parë të Policisë së Estonisë, pas daljes së vendit nga Perandoria Ruse kur ka përfunduar Lufta e Parë Botërore, por që është zhytur më pas në Bashkimin Sovjetik, më 1940.
Nëna e Kallasit i ka pasur vetëm gjashtë muaj kur familja e saj është detyruar të zhvendoset me forcë në Siberi, më 1949, bashkë me 20.000 estonezë tjerë.
“Rusia nuk ka ndryshuar”, ka thënë ajo vitin e kaluar, sipas raportimeve të Reutersit, kur e ka shënuar përvjetorin e ekzilit të nënës së saj.
“Ky djall jeton ende në Rusi”.
Kosova dhe Estonia – “të kaluar të ngjashme historike”
Kryeministrja Kallas është takuar vjetëve të fundit edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, edhe me kryeministrin, Albin Kurtin.
Pas takimit me Osmanin, më 2021, Kallas pati thënë se Estonia mbështet Kosovën drejt integrimeve evropiane dhe që çelës për sukses janë “reformat, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sigurimi i njohjeve të shtetësisë prej pesë vendeve të BE-së” – referencë për Sllovakinë, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Spanjën.
Ajo e ka përmendur në atë takim edhe nevojën e përmirësimit të marrëdhënieve me Serbinë, me arsyetimin se një Ballkan Perëndimor i sigurt “është në interesin e gjithë Evropës”.