Kush është Enver Sekiraqa i cilësuar si “gangsteri” i Prishtinës?

 

 

Një djalë i rritur në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë, do të bëhej faktor i shumë problemeve në kryeqytet, para e pas luftës.

Rritja e tij si figurë e ‘frikshme’, në botën e biznesit e krimit, thuhet se erdhi pikërisht për shkak të lidhjeve të tij me politikën e figura të famshme të kohës.

Vetë Sekiraqa, në një promo të intervistës së tij për transmetuesin publik, kishte thënë se ka mbledhur vota për LDK-në, por kjo intervistë nuk ishte transmetuar kurrë.

Gjatë luftës, për shkak që dyshohej për lidhjet me regjimin serb, ishte ndaluar nga UÇK-ja në Llap.

Për këtë kishte folur edhe komandanti i asaj Zone, Rrustem Mustafa i njohur si “Remi”, i cili e kishe përshkruar si person problematik, duke thënë së është e vërtetë që ishte ndaluar, por me pas është liruar.

Pas luftës një prej shqetësimeve kryesore u bë mafia dhe krimi i organizuar për shkak të gjendjes së dobët ekonomike në vend.

Figura e tij do intensifikohej dhe kulmonte me vrasjen e policit Trium Riza, për të cilin Sekiraqa akuzohet se e nxiti.

Konflikti mes tyre, sipas babait të Triumfit, kishte nisur diku në vitin 2000, kur Triumfi bashkë me disa policë të UNMIK-ut, kishin ndaluar një veturë në të cilën thuhet se ishte Enver Sekiraqa, i cili kishte dalë me granatë dorë duke kërcënuar policët.

“Edhe banda e tij, ky me bandën në të vërtetë shkojnë në shkollën e mjekësisë me dhunë me i marrë tri vajza. Krijohet problemi atje, bile i rrahin edhe arsimtarët ata. I lajmërojnë, Triumfi ka qillu qaty afër së bashku me ni policin pakistanez  Seriato është quajt ai. Meqenëse e bije edhe në shpi ata Triumfi, unë e kam njoftë. Edhe këta kanë intervenu me i shpetu dhe aty lind problemi më i madh me këta”, ka thënë Shefqet Riza, babai i Triumfi Rizës

Sipas kësaj dëshmie, duke pas parasysh reputacionin e Sekiraqes, kjo ishte bërë shkas të niste një “luftë” Riza-Sekiraqa.

Triumfi, një polic i ri në forcën e re të Policisë së Kosovës dhe me pas në Njësinë Mbrojtëse të Policisë, thuhej se ishte ndër të vetmit që kishte guximin të merrej me Sekiraqën dhe grupin e tij.

Sipas aktakuzës, nga dëshmitë e familjareve dhe shokëve të tij, thuhej se ai ishte në përcjellje gjatë gjithë kohës, ku një rast i ishte djegur vetura, për çka Triumfi ishte i sigurte se ishte dora e Enver Sekiraqes.

Problemi mes tyre, sipas babait të Rizës, do eskalonte me incidentin në “Swis Casino”

“Në ‘Swis Casino’ me 2005 ka qenë, me 25 dhjetor nata e krishtlindjeve ka qenë. Ai shoku i tij polic i kish pas nja 10 bileta ai, po i ka shku me familje me e festu se është i fesë katolike. Triumfi ka thanë jo mor nuk është festa ime shko ti se unë s’kam  pse me ardhë,  jo edhe ti ke me ardhë. Ky shkon. Këta marrin vesh që janë aty, banda e Sekiraqës bashkë me Sekiraqen iu bijën e i sulmojnë. Këta kanë qenë gjashtë veta të armatosun prej bandës Sekiraqës  me revole. Prandaj edhe ata kanë gjuajte sa kanë mujtë”, ka shtuar babai i tij.

“Ç’është e vërteta, edhe e ka rrah Sekiraqen, po ka pas mundësi edhe me e vra, po se ka vra. Ka qenë polic elitar. Ka qenë njeri sportist elitar. Domethënë s’ka qenë njeri që vret njerëz”, ka thënë tutje ai.

Nga këto gjuajtje i plagosur kishte mbetur Arben Selimaj, ndërsa ishte lënduar edhe Sekiraqa.

Në lidhje me ketë incident, Sekiraqa në gjykatë ishte shprehur se Triumfi ja kishte shpëtuar jetën.

“Kurrë nuk e harroj unë ata, se kam mujt edhe unë me kanë i vdekur, ai me ka ngrehë aty për jakne me fuqi të madhe, tash për çka unë nuk e di, pse nuk e kam kuptu mirëpo ai ka qenë shpëtimi im”, ishte shprehur ai para gjykatës.

Problemet mes Sekiraqes e Rizës, do i shtohej edhe një faktor tjetër, e që me pas prokuroria pretendonte se ishte ndër faktori kryesor pse Sekiraqa do jepte urdhrin për eliminimin e tij, këngëtarja Adelina Ismaili.

Prokuroria përfshirjen e këngëtares e përshkruan kështu: “Që nga 2003, ajo kishte qenë duke vuajtur në duart e të pandehurit (Enver Sekiraqes) dhe bandës se tij pasi Enver Sekiraqa e kishte kërcënuar atë”.

Gjithashtu në aktakuzë thuhet se në shumë raste Sekiraqa e ka detyruar t’i jepte para në shuma që varionin deri në 9 mijë euro.

Në vitin 2004, prokuroria e përshkruan se Triumfi kishte marrë në mbrojte këngëtaren duke i thënë që mos t’i jepte para dhe të raportonte secilin rast.

Sipas aktakuzës, më 2004, ajo ishte në një lidhje me Triumfin ku sipas dëshmive të dy ishin në përcjellje te vazhdueshme nga Enver Sekiraqa.

Në aktakuzë, nga viti 2003 deri në 2006, prokuroria ka evidentuara 7 raste kur Triumf Riza kishte paraqitur në polici, raste të kërcënimit, sulmit, frikësimit, dëmtimit e vrasje në tentativë, të gjitha këto thuhej se ishin kryer nga njerëz të Enverit apo vet ai. Dy prej rasteve kishin shkuar në kundërvajtje, ndërsa të tjerat ishin mbyllur në mungesë të provave.

Ankesa në Polici të paktën në 5 herë të tjera, sipas aktakuzës kishte paraqitur edhe Adelina Ismaili, në secilën herë ajo akuzonte njerëzit e Sekiraqes e kishte raste edhe personalisht atë.

Në shkurt të 2005, ajo kishte lajmëruar rastin në Polici kur përderisa po kthehej në banese me veturë, një xhip i zi kishte mbërritur paralel me të dhe ishte Sekiraqa ai që po i bënte me shenje se “kam me ta pre fytin”.

Disa raste ishin mbyllur e për disa, nuk dihet se si kanë përfunduar.

“Betimi për Drejtësi”, ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të na ofrojë informata se në sa raste prokuroria i ka ngritur aktakuzë Sekiraqës e në sa raste ka hedhur kallëzimet penale, por që nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk ka  dhënë as Policia, se sa raste përgjatë viteve janë paraqitur kundër Sekiraqës.

Ndonëse prokuroria e paraqiti si personazhin kryesor që nxiti në vrasjen e Trium Rizës, Ismaili bëri të pamundurën që roli i saj në këtë histori të mbetet enigme.

“Në atë pyetje është përgjigje babai i Triumfit, përleshjet e tyre kanë filluar prej vitit 99 kur unë nuk e kam njoftë asnjërin prej atyre njerëzve nuk është e imja me e citu gjyqin tash ose familjen, po ju lutem pyeteni babain edhe vëllain e të ndjerit për këtë”, kishte deklaruar ajo në një intervsitë.

Seancat kur ka dëshmuar Adelina dhe motrat Ismaili kanë qenë çdo herë të mbyllura për publikun.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d