Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka marrë pjesë në takim konsultativ me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ka propozuar që zgjedhjet e ardhshme parlamentare të mbahen më 9 ose 16 shkurt 2025.
Kusari, përmes një postimi në Facebook, në cilësinë e kryetares së Alternativës, ishte e ftuar sot në takimin me kryetarët e subjekteve parlamentare nga Presidentja e vendit Vjosa Osmani-Sadriu, për të diskutuar datën e zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Kosovë.
“Ky diskutim ka një rëndësi të veçantë për shtetin tonë të ri, pasi është hera e parë që nga shpallja e pavarësisë që legjislatura e tetë bashkë me ekzekutivin e përmbyllin një mandat të plotë qeverisës”, ka shkruar Kusari-Lila.
Ajo ka thënë se “gjithashtu, në cilësinë e anëtares së koalicionit qeverisës, e ritheksova gatishmërinë tonë të mëhershme për zgjedhje të parakohshme, nëse do të ketë gatishmëri dhe unitet të plotë nga opozita, gjë që nuk u dëshmua se u arrit nga ta”.
“Ndërsa, sa i përket datës së zgjedhjeve të rregullta, deklarova se tradicionalisht, muaji janar, si muaji më i ngarkuar i vitit pas festave të fundvitit, nuk është i përshtatshëm. Rrjedhimisht, datat 9 ose 16 shkurt, do të mund të ishin shumë më të favorshme për mbarëvajtje të fushatës parazgjedhore dhe procesit zgjedhor”, ka shkruar ajo.
Kusari-Lila ka thënë se alternativa mbetet e përkushtuar në avancimin e agjendës liberale progresive dhe dinamizimin e agjendës zhvillimore të shtetit.
PDK, LDK e AAK kanë propozuar që zgjedhjet të mbahen më 26 janar.