Kurti: Vuçiq s’ishte i gatshëm për nënshkrim e as për tërheqjen e letrës së Bërnabiqit e dorëzimin e Radoiçiqit

 

 

Kryeministri Albin Kurti, siç bën zakonshëm kur kthehet nga Brukseli, nisi mbledhjen e Qeverisë duke njoftuar për atë që ndodhi në ditën e takimeve atje.

Kurti e përsëriti se Marrëveshja Bazike ndodhet në sulm nga Serbia dhe tha se tri kushtet e vëna nga ai ishin të domosdoshme për t’u takuar me të për një dialog në mirëbesim.

“Për aq kohë sa Radoiçiq dhe grupi i tij është i lirë dhe i mbrojtur në Serbi nuk ka mirëbesim në dialogun për normalizim.  Në shkurt të vitit të kaluar u dakorduam për marrëveshjen bazike në Bruksel që u shpall si ligjërisht e obligueshme”, tha Kurti, duke thënë se pas marrëveshjes që garanton që palët s’e sulmojnë njëra-tjetrën ndodhi sulmi terrorist në Banjskë.

“Ne kemi pranuar marrëveshjen dhe kemi kërkuar disa herë që të formalizohet me nënshkrim dhe deponim në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Mirëbesimi në dialog dhe zbatim të marrëveshjes është humbur edhe me letrën e Bërnabiqit  Ajo letër duhet të tërhiqet”.

“Për të garantuar respektimin e marrëveshjes në të ardhmen duhet që ajo të nënshkruhet, sepse vetëm nënshkrimi garanton zbatimin e saj dhe të ketë tërheqje të letrës së Bërnabiq dhe nënshkrim të marrëveshjes nga Vuçiq. Në tri takime bilaterale ne paraqitëm këto kërkesa të garancisë që në fakt janë mburojë për vetë marrëveshjen bazike që është në sulm nga Serbia. Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm për asnjërën, as të nënshkruajë marrëveshje, as të tërheqë letrën për refuzimin e saj, por as të dorëzojë kryekriminelin Radoiçiq”.

Kurti këmbënguli që marrëveshja duhet të zbatohet e plotë dhe jo vetëm disa nene të saj.

Ai përmendi edhe anulimin e festivalit kulturor nga autoritetet serbe në Beograd dhe tha se kjo ndodhi një ditë pas takimeve bilaterale të Brukselit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d