Kurti takon kryetarin e një komune të Austrisë, e falënderon për ndihmën e shtetit austriak për Kosovën

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot e ka pritur në zyrë kryetarin e komunës së Baden bei Wien në Austri, Stefan Szirucsek, që ishte i shoqëruar nga anëtari i këshillit të qytetit, Nusret Bujari.

Kurti e ka uruar për binjakëzimin e komunave Baden dhe Suharekë.

“Kryeministri Kurti e uroi kryetarin Szirucsek për binjakëzimin e suksesshëm të komunave Baden dhe Suharekë, duke shprehur krenarinë e tij për integrimin e mirë të shqiptarëve të Kosovës në Baden dhe rolin e rëndësishëm të shoqatës “17 Shkurt” në këtë drejtim.”

Ai e ka falënderuar Szirucsek për mbështetjen e Austrisë ndaj Kosovës.

“Gjatë takimit, Kryeministri falënderoi kryetarin Szirucsek për mbështetjen që Austria i ka dhënë Kosovës, veçanërisht gjatë dhe pas luftës, dhe për njohjen e diplomave nga Kosova. Ai theksoi marrëdhëniet shumë të mira kulturore, politike dhe historike ndërmjet Kosovës dhe Austrisë.”

Kurti ka falënderuar edhe Nusret Bujari për punën e tij si anëtar i këshillit të qytetit në Baden dhe për rolin e tij si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe Baden.

“Nga ana e tij, kryetari Szirucsek vlerësoi praninë e sipërmarrësve nga Kosova në Baden dhe përmendi trashëgiminë botërore të qytetit të tij, duke shprehur dëshirën për të forcuar më tej marrëdhëniet, veçanërisht në fushën e turizmit, ku ka pasur një rritje prej 50% të netëve të kaluara në Kosovë gjatë vitit të kaluar.”

“Kryeministri Kurti përmendi rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe në shkollat e Baden dhe diskutoi mundësitë për ta vendosur atë në institucionet arsimore të qytetit. Ai gjithashtu theksoi pjesëmarrjen e kompanive nga Baden në forumin e ardhshëm ekonomik Austri-Kosovë, që do të mbahet në Kosovë, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d