Kryeministri Albin Kurti ka zbuluar mbrëmë se ka takuar kryetarët e komunave veriore.
Kurti në këto takime ishte bashkë me ministrin Nenad Rashiq dhe ministrin Elbert Krasniqi. Kreu i ekzekutivit ka treguar se u njoftua rreth punës, shërbimeve për qytetarë dhe arritjes e qeverisjeve të tyre lokale.
“Diskutuam hapur për sfidat, nevojat e kërkesat e tyre, sidomos në infrastrukturë, dhe përgatitjet që ata po bëjnë për buxhetin komunal të vitit të ardhshëm dhe projektet kapitale që synojnë t’i buxhetojnë për vitin 2025”, shkroi Kurti.
Ai falënderoi kryetarët Izmir Zeqiri dhe Ilir Peci, drejtorët dhe stafin e tyre për përkushtimin dhe angazhimin e dëshmuar, sipas tij, për qeverisje të mirë e të drejtë, dhe për bashkëpunimin me Qeverinë në shërbim të interesave të komunave që drejtojnë dhe qytetarëve.