Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u mirëprit nga Kryeministri në detyrë i Bullgarisë, Dimitar Glavchev.
Miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, marrëdhëniet e mira ekonomike dhe vullneti i dyanshëm për zgjerimin e tyre ishin temat qendore të bisedës dhe takimit.
Bullgaria njohu pavarësinë e Kosovës në mars të vitit 2008, ndërkaq sivjet shënojmë 15-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Deri më tani kemi të nënshkruara tetë marrëveshje dypalëshe dhe disa tjera që presin të finalizohen.
Me synim fuqizimin e raporteve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare, në qershor të vitin të kaluar u themelua Oda Ekonomike Kosovë-Bullgari me seli qendore në Sofje. Këtë vit, planifikohet të organizohet forum i përbashkët i bizneseve të Kosovës dhe Bullgarisë.
Bullgaria kishte luajtur një rol të rëndësishëm për ne në vitin 1999 duke hapur hapësirën e saj ajrore për aeroplanët e NATO-s në fushatës kundër Serbisë, që i dha fund gjenocid ndaj shqiptarëve në Kosovë. Ajo vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në sigurinë e vendit tonë me pjesëmarrjen dhe praninë e trupave të saj në Kosovë në kuadër të misionit të KFOR-it.
Gjatë takimit, kryeministri Kurti dhe kryeministri në detyrë i Bullgarisë Glavchev, diskutuan edhe për situatën e sigurisë në kontinentin e Evropës dhe atë në rajon, dhe folën për nevojën e bashkëpunimit sa më të thellë ndërmjet shteteve mike e partnere dhe ndërmjet shoqërive demokratike.
Në vizitën e tij të parë në Bullgari, kryeministri Kurti u shpreh i nderuar me pritjen nga homologu tij dhe falënderues për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë.