Kurti pret në takim shefin e OSBE-së në Kosovë, flasin për çështjen e dinarit

 

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur dje në takim shefin e misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport.

Nëpërmjet një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit njofton se në takimin mes Kurtit dhe Davenport, u diskutua mbi temat aktuale në Kosovë, përfshirë fazën tranzitore dhe informuese të zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore, dhe fushat e bashkëpunimit.

Në takim, ndër të tjera u theksua rëndësia e komunikimit efektiv me publikun, me ç ‘rast u përmend video mesazhi i kryeministrit drejtuar komunitetit serb në Kosovë, në gjuhën serbe, në lidhje me përmbajtjen, qëllimet dhe zbatimin e rregullores në fjalë”, thuhet në komunikatë.

Kujtojmë se rregullorja e BQK-së – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimit nga serbët e Kosovës.

Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d