Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim deputetin shqiptar të parlamentit suedez, Adnan Dibranin dhe Arbër Gashin, aktualisht i përfshirë në qeverisje lokale në Suedi dhe i cili është në pritje të bëhet deputet në parlamentin suedez në rast të zgjedhjes së Adnan Dibranit në Parlamentin Evropian.
Siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit, ata po shoqëroheshin edhe nga Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund.
Bashkëpunimi me diasporën, roli i tyre dhe ndërlidhja me vendin, si edhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ishin temat qendrore të takimit.
“Pas suksesit në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci, me 16 prill, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do t’i nënshtrohet votës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Kryeministri Kurti falënderoi Suedinë për mbështetjen e vazhdueshme dhe deputetët suedezë për angazhimin e tyre në kandidaturën e Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme. Adnan Dibrani është njëri nga deputetët, që përfaqëson Suedinë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Gjithashtu, gjatë takimit u diskutua edhe për zgjedhjet evropiane, që do të mbahen në qershor të këtij viti dhe për rëndësinë e pjesëmarrjes sa më të madhe të diasporës shqiptare në këto të zgjedhje.
Sipas njoftimit, deputeti Dibrani dhe Gashi u shprehën mirënjohës për mikpritjen dhe takimin dhe shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë përgjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, por jo vetëm.