Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 25 vjetorin e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT) tha se përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re.
Gjatë fjalës së tij, Kurti u shpreh se beson që ardhmja e cila po ndërtohet do të jetë më e mirë.
“Për këto 25 vjet ishte jetik roli i organizatave të shoqërisë civile, veçanërisht ato të udhëhequra nga gratë, mbrojtja e të drejtave të njeriut është mision humanitar që kërkon përkushtim, guxim dhe empati. Përkundër traumave të pashlyeshme, të mbijetuarat kanë treguar forcë të jashtëzakonshme për të ndërtuar një jetë të re”.
“Mirënjohje për to. Si shtet e shoqëri po ecim përpara, teksa po punojmë për ballafaqimin me të kaluarën, me përkushtimin tonë për të luftuar padrejtësitë. Me këtë qëllim kemi miratuar për herë të parë strategjinë për drejtësi tranzicionale. E ardhmja që po ndërtojmë do të jetë më e mirë. Gëzuar 25 vjetorin”, u shpreh kryeministri.