Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pasi nënkryetares së Komunës së Zveçanit, Natasha Tomaniq, i janë djegur dy lokale të cilat ndodhen ngjitur me njëri-tjetrin në qendër të Zveçanit. Ai tha se ky siç duket është “urimi” i strukturave kriminale për 8 Mars, duke e quajtur akt terrorist e qyqar.
Kurti tha se kjo po ndodhë ndaj Tomaniq dhe serbëve që duan të integrohen, të çlirohen dhe të pavarësohen nga Beogradi që i shantazhon.
“Pikërisht me 8 Mars, elemente kriminale në Zveçan zgjodhën e rizgjodhën dhunën, terrorin dhe sulmin, kësaj radhe ndaj pronës private, dyqanit të nënkryetares së Komunës së Zveçanit, znj. Natasha Tomaniq. Ky duket të jetë “urimi” i tyre për 8 Mars për nënkryetaren Tomaniq dhe për të gjithë serbët që duan integrimin në Kosovë, çlirimin nga strukura kriminale që kërcënojnë dhe pavarësimin nga Beogradi zyrtar që i shantazhon.
Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet me mirënjohje, përkujdesje, dashuri e angazhim të përbashkët për barazi. Jo me dhunë e terror.
Përgjigjja ndaj akteve të tilla dhe personave përgjegjës është sundimi i ligjit dhe shteti i së drejtës.” – ka shkruar Kurti.
Ai tha se ndaj serbëve të Kosovës që vazhdojnë të përballen me dhunën fizike e psikologjike dhe kërcënimet e vazhdueshme, “është mbështetja e inkurajimi për të plotësuar deri në fund vullnetin e tyre.”
Kurti shtoi se shpreson që edhe ambasadorët e Quintit dhe shefi i Zyres së BE-së, Tomas Szunyog, “do ta dënojnë ashpër këtë akt kriminal, terrorist e qyqar.”