Kurti për dinarin: Përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, s’ka incidente në terren

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimin për çështjen e euros si e vetmja valutë si mjet pagese në Kosovë e ka marrë Banka Qendrore e Kosovës dhe se ekzekutivi do ta mbështesë atë për aq sa kërkohet.

“Për çështjen e euros si e vetmja valutë si mjet pagese në Kosovë na prin Banka Qendrore e Kosovës, ajo e ka marrë vendimin për rregulloren e re, ajo e ka bërë planin tremujor të tranzicionit në 10 hapa. Ne, do ta mbështesim këtë plan për aq sa kërkohet nga ekzekutivi me dikasteret e vet. Jemi në rrugët të mbarë dhe është e qartë se përkundër paralajmërimeve apokaliptike nga Beogradi, praktikisht nuk ka incidente në terren. Edhe në Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok e veri të Mitrovicës nëpër lokale të ndryshme paguhet me euro”, ka theksuar Kurti.

Tutje ai ka thënë se Kosova nuk është kundër që qytetarët serbë të marrin ndihma nga Serbia, por ato ka thënë se ato duhet të bëhen euro.

“Mos harrojmë që janë mbi 33 mijë xhirollogari ku serbët i marrin ndihmat e tyre në valutën euro që ua jep Qeveria e Kosovës. Ne nuk jemi për t’ua ndalur ndihmat që u vijnë edhe nga Serbia, por nëse ato dërgohen në dinarë duhet të bëhen euro në Kosovë”, ka shtuar Kurti.

Kryeministri e ka komentuar edhe vendimin e djeshëm të Komitetit për Çështje Politike në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, që rekomandon Këshillin e Evropës që ta ftojë Kosovën për t’u bërë anëtare.

Kurti tha se ky është një lajm i mirë por është vetëm hapi i parë, teksa muajin tjetër do të votohet në Asamblenë Parlamentare në Këshill të Evropës dhe hapi përmbyllës është ai në mbledhjen e Këshillit të Ministrave në muajin maj.

“Është lajm tejet i mirë për Evropën, për kombin shqiptar, për demokracinë që në këtë epokë gjeopolitike e historike, Federata ruse është jashtë e Republika e Kosovës po hynë brenda”, u shpreh Kurti.

Ai tutje tha se bashkë me këtë proces, njëkohësisht po bëhen hapa edhe drejt integrimit evropian.

“Synimi ynë është anëtarësimi në BE dhe në anën tjetër anëtarësimi në NATO, ku dihet që në të dy këto dy makanizma tejet të rëndësishëm botëror, edhe politik edhe ushtarak, edhe vleror edhe strategjik, ne, do të jemi pranë shteteve mosnjohëse të cilët në këtë mënyrë do ta kenë një argument të fuqishëm për skeptikët në shtetet e tyre që ta bëjnë hapin vendimtar dhe ta pranojnë e ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d