Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar deklaratën e Ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien, i cili tha dje se me qëndrimin e saj për dinarin, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjatë vizitës së tij në Prizren, Kurti para gazetarëve tha se marrëdhëniet me SHBA-në nuk po rrezikohen, teksa shtoi se Kosova i është falënderuese Amerikës për të gjithë kontributin tashmë e 25-vjet që e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë.
“Republika e Kosovës nuk ka partner aleat edhe mik sikurse SHBA-në, kështu e konsideroj dhe bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës ka prezantuar një plan 10-pikësh për zbatimin e rregullores së saj. Ne jemi një Republikë demokratike Qeveria nuk u mbivendoset institucioneve të pavarura siç është BQK-ja.
Në mesin e këtyre 10 pikave si plan pune për zbatimin e rregullores BQK nuk ka paraparë asnjë masë ndëshkuese, pra pa ndëshkim dhe pa incidente duam të ecim përpara. Kushtetutshmëria dhe ligjshmëria janë prioritet i yni, por njëkohësisht ne kujdesemi edhe paqe e siguri, kujdesemi edhe për mirëqenien e qytetarëve serbë”.
Unë jam kryeministër që nuk dëshiron që qytetarët të kenë më pak para por të kenë më shumë. BQK-ja ia ka dërguar një letër Bakës Tradicionale të Serbisë, shpresojmë që ata të përgjigjen. Nuk është ndaluar dinari në Kosovë bëhet fjalë vetëm për dinarin si mjet pagese, jo për dinarin që mund ta kenë qytetarët. Nuk dëshirojmë që të ndëshkojmë askënd, me kurrfarë masash mirëpo ta bëjmë këtë tranzicion ashtu që të legalizohet e formalizohet çdo transaksion”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, qytetarët serbë nuk e shohin këtë si problem, por Beogradi zyrtar është ai që sjell “alarmime para apokaliptike”.
“Nuk besoj që qytetarët serbë këtë e shohin si problem, por Beogradi zyrtar që nuk na e pranon as pavarësinë e as krimet e kryera para 25-vjetëve, është ai që sjellë këso alarmimesh para apokaliptike. Si për BQK-në, si për shtetndërtimin tonë demokratik, si për sistemin tonë financiar ne i jemi falënderues ShBA-së që kanë kontribuar për gjatë këtyre, 25 vjetëvet të Kosovës së çliruar”, ka thënë Kurti.
Rregullorja e BQK-së – e cila përcakton që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – hyri në fuqi më 1 shkurt, pavarësisht thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj dhe kundërshtimit nga serbët e Kosovës.
Të hënën, BQK-ja njoftoi se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj do të zgjasë deri në tre muaj, ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Kosova nuk do të heqë dorë nga vendimi për ndalimin e dinarit për pagesa me para të gatshme, por se ai po i respekton kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për këtë çështje.
Të hënën, serbët protestuan në Mitrovicë të Veriut kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës për ndalimin e përdorimit të dinarit serb për pagesa.
Serbia e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me qëndrimin për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vakëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai.
Ai ka shprehur shqetësimin e SHBA-së për zbatimin e vendimit, duke thënë se qytetarët serbë kanë mbetur të hutuar se si të paguajnë për bukën, qiranë dhe energjinë elektrike, pas përjashtimit të përdorimit të dinarit serb.
Sipas tij, kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin.
“Kjo është çështje partneriteti dhe aftësie në qeverisje. Të gjitha problemet që janë hasur që kur u shpall ky vendim, u identifikuan që në 5-10 minutat e para, pasi mësuam për të. Megjithatë qeveria vazhdoi me zbatimin e tij pa paralajmërim dhe ka lënë një numër qytetarësh të vet të hutuar se si të paguajnë për bukën, qeranë dhe energjinë elektrike, të cilën disa prej tyre sapo kanë filluar ta paguajnë. Kjo nuk është formë e qeverisjes efektive. Jemi shumë të shqetësuar, pasi kjo tregon paaftësinë e qeverisë për t’i shërbyer qytetarëve të saj, por edhe për partneritetin. Të jesh pjesë e Evropës sot nënkupton t’i zgjidhësh çështjet përmes dialogut me planifikimin efektiv dhe paralajmërim. Ky vendim është shpallur me nxitim, pa paralajmërim dhe pa një përpjekje për të shfrytëzuar mekanizmat ekzistues për të gjetur përgjigje për gjithë problemet që mund të lindnin”, ka thënë diplomati amerikan.
Qeveria e Kosovës ka thënë se serbët do të mund të hapin llogari, pa pagesë, ku mund të bartin paratë e tyre në dinarë, të cilat më pas do të konvertohen në euro për të kryer pagesa.