Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se marrëdhëniet ekonomie me Shqipërinë janë forcuar si asnjëherë më parë, shkruan Prishtina Sot.
Ai ka thënë se me Shqipërinë nuk është kurrë mjaftueshëm bashkëpunimi.
Kurti ka folur edhe për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.
“Ndër projektet më të rëndësishme mbarëkombëtare, është marrëveshja për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës. Ajo do të jetë infrastruktura e radhës fizike që i përgjigjet vullnetit, dëshirës dhe nevojës për të qenë me afër. Ndërkohë që hapja e korridoreve ajrore me Republikën e Shqipërisë, e afron Kosovën me vendet tjera. Shkurtohet koha e udhëtimit dhe ruhet mjedisi sepse zvogëlohet trajektorja e fluturimeve për dhe nga Kosova”, ka shkruar Kurti.
Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, para tre muajsh kishte njoftuar se ka një dakordim të dyanshëm për trasenë se kah do të kalojë hekurudha që lidhë Kosovën me Shqipërinë.
Në llogarinë e tij në Facebook, Aliu kishte publikuar pamje se si do të duket ky projekt.
“Hekurudha Prishtinë-Durrës, një projekt tejet i rëndësishëm, që po avancon çdo ditë e më shumë, e që pas procesit të nisur të studimit të fizibilitetit, do të fillojnë edhe punimet intensive për realizimin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore për kombin”, ka shkruar ministri.
Hekurudha që do të lidhë Shqipërinë me Kosovën, pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit.
Varianti i paralajmëruar ditë më parë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama e që është mbështetur nga ministri Liburn Aliu, parashikon që hekurudha të kalojë nga Durrësi, në Shkodër, për të vijuar në Gjakovë e më pas në Prishtinë.