Gjatë ditës së sotme, në Tiranë, do të mbahet samiti BE-Ballkan Perëndimor.
Kjo vjen një ditë pas samitit Evropë Juglindore-Ukrainë, ku dje liderët e shteteve përkatëse u bashkuan për ta ndihmuar Ukrainën nga pushtimi rus që ka nisur para dy vitesh.Në Samitin mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës, do të marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kryeministri Kurti do të jetë i pranishëm përmes një video-lidhje.
Nikoqiri i këtij samiti, kryeministri shqiptar Edi Rama në pritje të punimeve samiti BE-Ballkani Perëndimor, ka thënë se në fokus do të jetë plani i ri i rritjes.
Rama ka theksuar se ky plan do të mundësojë një mbështetje të re për gjashtë vendet e rajonit.
Ky samit mbahet një ditë pas atij Ukrainë-Evropa Juglindore në kryeqytetin shqiptar dhe do të ofrojë mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Në samit do të jetë i pranishëm edhe komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi.
Arritja e liderëve në samit do të bëhet në Pallatin e Kongreseve nga ora 09:30. Fjalët hapëse mbahen nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe komisionari Oliver Varhelyi nga ora 09:45.
Firmosja e marrëveshjes bëhet në orën 12:00, ndërsa konferenca për media nga ora 12:30.