Kurti: Kosova e pozicionuar me ShBA-në, BE-në dhe Britaninë për ta ndihmuar Ukraninën në luftën me Rusinë

 

 

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar dyvjetorin e agresionit rus ndaj Ukrainës, duke thënë se populli ukrainas dhe Ukraina kanë pësuar humbje në njerëz dhe dëme materiale të pallogaritshme.

Ai tha se Ukrainës do t’i duhen shumë vite kohë, shumë punë e investime në të ardhmen për ta rimëkëmbur vendin kur lufta të ketë përfunduar, teksa tha se po më 24 shkurt të vitit 2021, Kosova dhe populli i saj e pati dënuar agresionin ushtarak rus dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse.

“Në këtë periudhë dy vjeçare gjatë të cilës po luftohet në Ukrainë, Kosova ka mbetur e palëkundur krah aleatëve të saj si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, shtetet e Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera demokratike perëndimore, që janë bashkuar në dënimin e agresionit rus në njërën anë dhe në mbështetjen e Ukrainës në anën tjetër”.

“Republika e Kosovës ka qenë një nga shtetet e para që u është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shteteve të Bashkimit Evropian në vendosjen e sanksioneve politike, ekonomike dhe financiare ndaj Federatës Ruse, pas agresionit të saj mbi Ukrainën, dhe i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7 mbi Mbështetjen për Ukrainën, e cila shprehë mbështetjen e përpjekjeve të Ukrainës për t’i mbrojtur institucionet e saj demokratike nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë me të”, shkroi Kurti.

Më tej, Kurti tha se Qeveria e Kosovës vazhdon ta mbështesë duke financuar një program të veçantë të AGK-së për strehimin e një grupi gazetarësh ukrainas të larguar nga Ukraina për shkak të luftës, të cilët janë akomoduar në Kosovë.

“Republika e Kosovës është një nga 54 shtetet anëtare të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës të udhëhequr nga ShBA-ja, në kuadër të të cilit në takime të rregullta, marrin pjesë Ministri i Mbrojtjes i Kosovës dhe Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës”.

“Nga 18 janari i këtij viti, një kontigjent ushtarak i përbërë nga instruktorë të FSK-së ka shkuar në Mbretërinë e Bashkuar ku bashkë me Forcat e Armatosura Britanike, për gjashtë muaj do të trajnojnë trupa ushtarake të Ukrainës në kuadër të operacionit “Interflex””, tha Kurti.

Tutje, kreu i qeverisë tha se Kosova është pozicionuar drejt dhe do të vazhdojë të qëndrojë krah aleatëve të saj, veçanërisht ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në rrugën për ta mbështetur dhe ndihmuar popullin dhe shtetin ukrainas për ta mbrojtur territorin dhe pavarësinë e Ukrainës në luftën përballë agresionit rus.

“Duke e mbështetur dhe ndihmuar Ukrainën, bashkë me vendet e botës demokratike e mbështesim lirinë e popujve tanë, pavarësinë dhe pacënueshmërinë e shteteve tona si dhe vlerat demokratike. Aq më tepër që agresioni rus dhe lufta në Ukrainë, u ka dhënë guxim shteteve autoritare në rajon, me pretendime hegjemoniste ndaj fqinjëve”.

“Por ashtu siç nga ajo anë kanë marrë guxim, nga ana jonë dhe e aleatëve tanë kanë marrë shembull, prej reagimeve profesionale dhe vigjilencës së strukturave të sigurisë së Kosovës të mbështetura nga aleatët e saj”, tha Kurti.

Kurti tha se me trimërinë e popullit dhe ushtarëve të saj si dhe me përkrahjen e aleatëve, Ukraina duhet të ngadhënjejë mbi ushtrinë ruse dhe agresionin e Rusisë në territorin e saj.

“Rusia si shtet dhe presidenti despotik i saj Putin, duhet të përgjigjen para gjykatave ndërkombëtare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Rusia duhet luftuar, dhe Ukraina duhet ndihmuar, deri në fitore. Fitore Ukrainës! Slava Ukraini!”, shkroi Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d