Kurti: Anëtarësimi ynë në strukturat evropiane si përgjigje ndaj kërcënimeve nga Serbia

 

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shtetit të tij duhet t’i jepet shtysë drejt integrimit evropian, si përgjigje ndaj “kërcënimeve të sigurisë”, që sipas tij, vijnë nga Serbia.

Gjatë konferencës “Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euroatlantik”, Kurti tha se sa i përket Serbisë, që e cilësoi si “regjim autokratik”, duhet të përdoret qasja e njëjtë që Bashkimi Evropian dhe NATO kanë përdorur ndaj Rusisë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

Ai tha se BE-ja dhe NATO-ja iu përgjigjën drejt pushtimit rus të Ukrainës duke pranuar në aleancë Finlandën dhe Suedinë dhe duke i dhënë statusin e vendit kandidat Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.

“Kërcënimet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohen duke përdorur të njëjtën qasje, pra duke i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti tha se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij, Serbia solli katër herë ushtrinë e saj në kufi me Kosovën, “sponsorizoi terroristë dhe vazhdimisht shpërndanë gënjeshtra dhe narrativë të rremë për të justifikuar aktet agresive ndaj Kosovës dhe rajonit”.

Këto deklarata të Kurtit janë referencë për tensionet e rritura në disa raste mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë ngritje barrikadash në veriun e Kosovës nga serbët lokalë për shkak të disa vendimeve të Qeverisë në Prishtinë, por edhe për një sulm të armatosur të një grupi serbësh ndaj Policisë së Kosovës. Sulmi në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e kaluar la të vrarë një polic të Kosovës dhe gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova për sulmin në Banjskë, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë, por Serbia ka thënë se nuk ka gisht në të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d