Kur do t’i hiqen Kosovës masat e vendosura nga BE-ja?

 

 

Bashkimi Evropian nuk ka treguar shenja konkrete se Kosovës do t’i hiqen masat ndëshkuese pas organizimit të zgjedhjeve për largimin e kryetarëve në katër komunat veriore.  Dalja e ulët e qytetarëve serbë dhe dështimi i këtij procesi është shkaku kryesor që BE-ja vlerësoi se situata nuk i kontribuon uljes së tensioneve. Sipas BE-së, përshkallëzimi i gjendjes ishte arsyeja për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se për heqjen ose jo të masave ndaj Kosovës vendos Këshilli i Ministrave pas shqyrtimit të një raportit të shefit të politikës së jashtme, Josep Borrell.

‘’Këshilli do të diskutojë masat e BE-së në bazë të një raporti të Përfaqësuesit të Lartë rreth përmbushjes së kërkesave të BE-së. BE-ja shpreh keqardhje se serbët e Kosovës në veri të Kosovës kanë humbur mundësinë për të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur kryetarët e  komunave që do të ishin përfaqësues të vërtetë. Rezultati nuk kontribuon në zbutjen e tensioneve dhe hapjen e rrugës për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, gjë që është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve.  Përderisa organizimi i votimeve për largimin e kryetarëve nuk ishte i pakushtëzuar, përfshirë risitë siç janë vendosja e kamerave të sigurisë. Vendimi i partive politike që përfaqësojnë serbët e Kosovës në veriun që të tërhiqen nga procesi dhe thirrja për një bojkot rezultoi me një varg vështirësish, përfshirë edhe themelimin e disa komisioneve në vendvotime pa pjesëmarrjen e asnjë anëtari serb të Kosovës’’, tha Stano.

Qeveria e Kosovës e quan të padrejtë vazhdimin e mbajtjes në fuqi të masave ndëshkuese ndaj Kosovës pas zgjedhjeve në veri. Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj, e quan hipokrizi të BE-së.

‘’Nuk ka emër tjetër përveç se hipokrizi. I vetmi veprim bindës dhe real ka qenë mbajta e zgjedhjeve. Tash i mbetet aleatëve ti heqin masat”, tha Rexhaj për rtv21.

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, vlerëson se dështimi i zgjedhjeve në veri të vendit nuk ka zgjidhur asgjë sa i përket uljes së tensioneve në atë pjesë. Sipas tij, mos dalja e qytetarëve serbë në zgjedhje tregon se çdo ditë po fuqizohet ndikimi i Serbisë në veri të Kosovës.

‘’kemi një situatë të re tani. Situata pas votimit nuk i kontribuon fare shtensionimit të situatës. Qeveria ka dështuar në realizimin e projektit”, tha Qalaj.

Pas dështimit të procesit zgjedhor të së dielës, përfaqësuesit e partisë në pushtet nuk shohin skenarë të tjerë. Deputeti i Vetëvendosjes, Arbër Rexhaj përjashton mundësinë që kryetarët të japë dorëheqje.

‘’Referendumi nuk ka pasur sukses dhe kryetarët e vazhdojnë mandatin e tyre deri në fund. Nuk ka asnjë arsye për dorëheqje”, tha Rexhaj.

Lista Serbe e ndikuar nga Serbia kishte kërkuar nga qytetarët serbë që të mos dalin në votime për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave në veri, gjë që kishte ngjallur kritika të faktorit ndërkombëtar.  Ndërkohë,  BE-ja zyrtarisht ka kushtëzuar integrimin e Serbisë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d