Policia kufitare në Morin e ndaloi 1 shtetas turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Gjermania, për vjedhje dhe për plagosje.
“Shërbimet e Policisë kufitare, krahas zbatimit të marrëveshjes për qarkullimin e lirë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, kanë rritur vigjilencën për goditjen e paligjshmërive në kufi, si edhe për ndalimin e shtetasve që sinjalizohen si të shpallur në kërkim dhe tentojnë të hyjnë apo të dalin nga kjo pikë kufitare”, thuhet në njoftimin e policisë së shtetit, transmeton IndeksOnline.
Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Kukës dhe si rezultat i intervistimit të detajuar dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Gjermani, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua nga Sektori për Hetimin e Krimeve i DVP Kukës, me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi turk Z.O., 35-vjeç.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjermane i kanë caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për vjedhje dhe për plagosje.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e 35-vjeçarit, në Gjermani.