Kryeprokurori i Shtetit dhe ai i Prokurorisë Speciale takohen me presidentin e EUROJUST-it

 

 

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, së bashku me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj dhe prokuroren e PSRK-së, Ilirjana Çollaku – Tafa, kanë zhvilluar takim me presidentin e EUROJUST-it, Ladislav Hamran.

Temë qendrore e takimit ndërmjet përfaqësuesve të institucionit të Prokurorit të Shtetit me presidentin Hamran ishte avancimi i bashkëpunimit dypalësh, konkretisht nevoja e pranisë së Kosovës si vëzhguese e përhershme në EUROJUST, që u vlerësua si hap esencial për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.

Në këtë kontekst, presidenti i EUROJUST-it ka vlerësuar lartë angazhimin, bashkëpunimin dhe ndërveprimin e ngushtë që prokurorët kosovarë kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë me këtë agjenci të BE-së në fushën e drejtësisë penale.

Në anën tjetër, U.D. kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, ka falënderuar Presidentin Hamran për bashkëpunimin konstruktiv dhe ndihëm profesionale që EUROJUST e ka dhënë për Prokurorin e Shtetit, duke theksuar se duhet të jemi të vendosur në luftimin e të gjitha formave të krimit, me ç’rast ka shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet në të ardhmen.

Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, ka folur për veprimet që PSRK i ka ndërmarrë në intensifikimin dhe avancimin e bashkëpunimit me EUROJUST-in, si dhe ka potencuar se PSRK-ja do t’i përgjigjet në kohë dhe në mënyrë efektive të gjitha kërkesave dhe obligimeve që adresohen nga EUROJUST-i.

Në nëntor të vitit 2022, institucioni i Prokurorit të Shtetit ka zyrtarizuar bashkëpunimin juridik me EUROJUST, duke caktuar prokurorin ndërlidhës të përhershëm si dhe një prokuror si pikë kontakti lidhur me implementimin e projektit “WB CRIM JUST”, i cili ka filluar të zbatohet në Ballkanin Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d