Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, gjenden sot në Bruksel për një rund të ri bisedimesh në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Është ky një nga tentimet e palës evropiane që të organizojë një rund dialogu në nivel të kryenegociatorëve, ndonëse akoma nuk ka konfirmim nëse do të ketë takim të përbashkët.
Siç raporton Gjeraqina Tuhina nga Brukseli, një zyrtar evropian i informuar lidhur me takimet në fjalë ka thënë se është vështirë të parashihet nëse do të ketë takim të përbashkët dhe se gjithçka do të varet nga atmosfera gjatë bisedave të ndara.
Bislimi, kryenegociatori i Kosovës ka përfunduar takimin e ndarë më Lajçakun i cili kishte filluar në orën 09:00 dhe ka zgjatur gati 2 orë. Një takim të ngjashëm, më pas e ka zhvilluar edhe Petkoviq.
Një ditë më parë, Peter Stano, zëdhënës i Bashkimit Evropian kishte paralajmëruar se në rundin e radhës do të diskutohen mënyrat si të shkohet tutje me zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër në mars të vitit 2023, si dhe të gjitha çështjet tjera të cilat sipas Stanos, po ndikojnë në normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.