Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me të Dërguarin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, raporton Gazeta Prishtina Sot.
Përmes një komunikate për media, Zyra e Kryeministrit njofton se temë qendrore e diskutimit ishin bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit.
“Kryeministri e falënderoi z. Sarrazin për bashkëpunimin e mirë, kontributin dhe rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe në avancimin e bashkëpunimit rajonal.
Kryeministri theksoi që Republika e Kosovës është e përkushtuar dhe interesuar për fqinjësi të mirë, avancim demokratik dhe progres socio-ekonomik në rajon ku qytetarët janë përfituesit përfundimtarë dhe shtoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në Procesin e Berlinit e të cilat rrisin mobilitetin e qytetarëve dhe mundësitë për zhvillim”, thuhet në komunikatë.