Krivaça thotë se Marigonën s’e ka goditur asnjëherë me shkop

I akuzuari Dardan Krivaça për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit, ka deklaruar se ai dhe e ndjera kanë qenë të dy përdorues të lëndëve narkotike.

“Unë dhe Marigona e ndjera kemi qenë përdorues të drogës. E ndjera ka qenë përdoruese edhe para se të njoftohej me mua, edhe unë gjithashtu. Ndërsa prej ditës së parë që jemi lidhur, dytë kemi qenë përdorues të drogës të llojeve; Kremit, kokainës, ekstazi, speed, marihuanë, hashash, xanax, tramadol, po ashtu kemi qenë edhe përdorues të alkoolit”, ka thënë Krivaqa.

I akuzuati Krivaça ka mohuar t’i ketë shkaktuar lëndime të rënda Osmanit, e sipas tij atë e ka goditur me “3-4 shuplaka” por jo me shkop. Ai ka thënë se plagët që Osmani ka pësuar i ka marrë si pasojë e rrëzimit nga shkallët.

“Asnjëherë nuk e kam goditë të ndjerën me shkop. Me duar e kam goditë 3-4 shuplaka, kjo ka ndodh të shtunën. Të dielën asnjëherë nuk e kam goditë. Nuk i kam thyer asnjë pjesë të trupit, nuk e kam goditë asnjëherë siç është lëndu. Lëndimet kanë ardhë si pasojë e rrëzimit nga kati i 5-të, që kemi qenë duke shku te spitali. Jam rrëzu bashkë me të ndjerën 2 herë. 1 herë më ka ra nga duart, s’kam mujt me çu për shkak të panikut, stresit, s’kam pas fuqi as vet. Ka pasë lift është vonuar lifti. Arbëri ka dalë e ka thirrë liftin por është vonuar, dhe kam vendosur me shku shkallëve”, është deklaruar Krivaça para trupit gjykues.

Krivaça që është deklaruar para trupit gjykues për herë të parë, ka mohuar se i akuzuari tjetër, Arbër Sejdiu, ka qenë pjesëmarrës në veprat për të cilat akuzohen. Sipas tij, të tre ishin në ndikim të kokainës.

“Unë e kam goditë të ndjerën por jo me lënduar siç janë lëndimet. Jemi kapë mes vete, jem goditë mes vete, Arbëri s’ka qenë prezent atë ditë hiç, nuk ka marrë pjesë në asnjë veprim hiç. Ai u ardh m’i marrë rrobat dhe pasaportën e tij. Ka qëndru gjatë gjithë natës me mu, duke pirë kokainë. Ditën e diele Arbëri, ka qenë në banesë. Arbëri ka dalë ka ble bukë, për mua, Marigonën dhe për vete. Ora e saktë nuk më kujtohet, kur e kam dërgu Marigonën, veç e di që masdite. Prej të premtes deri të dielën kam pi kokainë, e dini që kokaina nuk të lenë flejtë, kam qenë gati në gjendje overdozë. Edhe Arbëri edhe Marigona kanë qenë në efekt të drogës. Arbëri kur ka ardhë në mbrëmje, ka pirë drogë, kurse e ndjera ka pi para se me ardhë Arbëri, me ndjerën kemi pirë çdo ditë, çdo natë. Me datën 22 e ndjera nuk ka pirë drogë, me 21 ka pirë drogë. Deri të dielën me të ndjerën kemi pirë drogë”, ka thënë ai.

Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaçën për vrasjen e Marigona Osmanit. Por rasti është kthyer në rigjykim nga shkalla e dytë.

Në seancën e dytë të rigjykimit të Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut më 11 qershor, të dy të akuzuar për dhunim dhe vrasjen e Osmanit më 2021, eksperti mjekoligjor pati shpjeguar se vdekja e Osmanit erdhi si pasojë e lëndimeve të rënda dhe të shumëfishta trupore.

Raportin e ekspertit e pati kundërshtuar pala mbrojtëse.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d