Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka zhvilluar sot një aksion në dy lokacione në Pejë dhe Klinë, pas hetimeve disa mujore me dyshimin se persona të caktuar janë duke kryer veprat penale të mashtrimit dhe shantazhit përmes sistemeve kompjuterike.
Në këtë operacion policor janë arrestuar dy persona të dyshuar, një burrë dhe një grua, të dy shtetas kosovarë, ndërkaq dëmi që dyshohet se i është shkaktuar viktimës është mbi 80 mijë dollarë amerikanë.
Po ashtu, në cilësi të provave materiale janë sekuestruar gjësendet si në vijim:
- Një veturë;
- Dëshmi të transaksioneve nga unionet financiare;
- Dy telefona mobil;
- Dy revole;
- Tetë copë municion;
- Një maskë.
“I dyshuari kryesor në këtë rast ka përdorur rrjetet sociale duke përdorur emër dhe fotografi personale të rrejshme, me qëllim të zhvatjes financiare i dyshuari ka arritur të mashtroj viktimën e cila i ka dërguar atij para përmes unioneve financiare.
Të dyshuarit me veprimet e tyre kanë vënë në lajthim dhe kanë mashtruar viktimën duke i shkaktuar dëm me vlerë mbi 80 mijë dollarë amerikanë.
Lidhur me rastin pas marrjes në pyetje, dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dërgohen në mbajtje prej 48 orësh.” – ka njoftuar Policia.