Dje rreth orës 16:30 një shpërthim ka ndodhur në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, ku janë lënduar 15 persona. Fillimisht rastin e konfirmoi zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 16:30, policia ka pranuar informatë se si pasoj e një shpërthimi në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës, 13 persona kanë pësuar lëndime, të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës”, ka thënë Zahiti.
Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se të lënduarit janë nga njëjta familje.
“Isha edhe brenda. Sipas informatave ka prej tyre që e kanë shkallën e lëndimit më të madhe, e disa më të vogël. Uroj që të gjithë të jenë mirë e të mos kenë rrezik për jetë e iu uroj shërim të shpejt dhe shfrytëzoj rastin t’i falënderoj mjekët për një punë dhe përkushtim të jashtëzakonshëm”, ka deklaruar Hamza për Klanin.
ShSKUK ka njoftuar se 13 të lënduarit janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim dhe se katër prej tyre janë duke u operuar.
Sipas njoftimit, pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshme të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.
“Katërmbëdhjetë pacientët që kanë pësuar lëndime nga djegiet, nga bombola e gazit dhe 1 me lëndime në gjoks, në fshatin Kçiq të Mitrovicës, pas trajtimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së. Katër nga ta janë operuar në sallat emergjente, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike, Shërbimin e Reanimimit dhe atë Kirurgjik, të po kësaj klinike. 4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia. 8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë. 2në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale”, thuhet në njoftim.
Mbrëmë, në QKUK kanë shkuar kryeministri Kurti dhe ministri Vitia.
Kurti tha se ka qytetarë të lënduar lehtë dhe qytetarë që kanë pësuar djegie të shkallës së dytë e tretë nga shpërthimi i bombolës së gazit.
“Për diç më shumë se një orë, mjekët dhe infermierët kujdestarë në QKUK, i shpëtuan 15 qytetarë të aksidentuar nga shpërthimi i një bombole gazi në Kçiq të Mitrovicës. Disa janë të lënduar lehtë, por ka edhe të lënduar rëndë me djegie të shkallës së dytë e të tretë. E falënderojmë personelin kujdestar për ndërhyrjen e shpejtë dhe angazhimin profesional, ndërkaq të plagosurve ju dëshirojmë shërim të shpejtë e të plotë. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, dhe drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, ishin po ashtu sonte në Klinikën e Emergjencës dhe atë të Kirurgjisë Plastike ku po vazhdojnë përpjekjet e mëdha për të mënjanuar rrezikun për jetë në një nga rastet”, tha Kurti.
Më tutje, ai deklaroi se qytetarët duhet të kenë kujdes me përdorimin e bombola e pasi sipas tij ky nuk është aksidenti i parë.
“Nuk është aksidenti i parë i këtillë, qytetarët dhe familjet duhet të kenë shumë vëmendje te blerja dhe përdorimi i sigurt i gazit, gjithnjë sipas rregullave strikte, për shtëpitë dhe lokalet e tyre. Ndërkaq inspektoriatet dhe organet tjera përkatëse të mbikëqyrin rreptë respektimin e standardeve të duhura të bombolave të gazit në treg”, tha tutje ai.
Ndërsa, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë se 15 anëtarë të një familje kanë pësuar djegie si pasojë e shpërthimit të një bombole me gaz në një shtëpi në Kçiq të Mitrovicës.
Vitia poashtu konfirmoi se një nga të lënduarit ka pasur lëndime edhe në gjoks.
”Të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në fshatin Kçiq të Mitrovicës janë trajtuar sot gjatë ditës në spitale e QKUK. Ata, 15 anëtarë të familjes, pësuan djegie e një pati lëndime në gjoks. Ende jemi në Klinikën Emergjente në QKUK, bashkë me mjekët, infermierët dhe stafin tjetër. Të gjithë ishin e ende janë në mobilizim e angazhim të lartë prej shumë orësh. Po ofrohet kujdesi i plotë e profesional për të lënduarit” tha ai.
Vitia deklaroi tutje se katër nga të lënduarit janë në trajtim intensiv.
“Katër nga të lënduarit pasi që janë operuar nga mjekët në QKUK, meqë kanë shkallë më të lartë të djegieve janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në Mjekim Intensiv Qendror. Tetë të lënduar janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike. Dy të lënduar janë në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale. Ndërsa një nga të lënduarit është në Klinikën e Kirurgjisë Torakale. Mjekët janë duke bërë gjithçka për të mënjanuar çdo rrezik për jetën.Përpjekjet vijojnë dhe në këto çaste”, tha Vitia.