KQZ vazhdon verifikimin nënshkrimeve të peticionit për largimin e kryetarëve të veriut

 

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është ende në proces të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve të tyre.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ashtu siç kemi njoftuar, ky proces do të na marrë kohë pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik. Pas përfundimit të verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura, do të përgatisim raport për çdo komun dhe do të njoftojmë Ministrinë, kryesuesit e kuvendeve komunle, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Po ashtu, përgjigjja e KQZ-së do të bëhet publike edhe për qytetarët dhe mediat”, ka thënë Elezi.

Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d