Një person nga Kosova mund të dëbohet nga Qarku i Göttingen-it.
Gjykata Administrative në Göttingen dhe Gjykata e Lartë Administrative e Saksonisë së Ulët në Lüneburg kanë konfirmuar dëbimin e urdhëruar më parë nga qarku në fjalë.
Kosovari jeton në Gjermani që nga viti 1989 dhe kishte aplikuar pa sukses për azil, thuhet në vendimin e Gjykatës Administrative të Göttingenit. Së fundmi ai ka vuajtur një dënim me gjashtë vjet burg për trafik droge.
Në bazë të një raporti që vërtetonte se i dënuari kishte një prognozë pozitive sociale, ai ishte liruar në fillim të shtatorit të vitit 2023, shkruan ndr.de. Por, sipas gjykatës, rrethi e ka vlerësuar këtë raport si të pasaktë.
Gjykata thotë atë që e konfirmojnë edhe autoritetet se babai i divorcuar i katër fëmijëve të rritur gjermanë nuk ishte integruar në shoqërinë gjermane. Ai po kështu paraqet rrezik për krime të mëtejshme, përcjell albinfo.ch. Prandaj qarku ka urdhëruar dëbimin e tij në Kosovë.
Padia e personit në fjalë kundër këtij vendimi tani ka dështuar. Sipas një zëdhënësi të gjykatës, vendimi është ligjërisht i detyrueshëm.