Kosova synon ta ndalojë shpyllëzimin përmes këtyre dronëve, njëjtë kishin bërë ShBA-ja dhe Brazili

 

 

Dronët që lëshojnë topa të vegjël me fara të pishës, është mënyra se si në Kosovës po synohet të ndalohet shpyllëzimi, një fenomen me të cilin është përballur vendi që nga paslufta.

Mijëra hektarë tokë janë shpyllëzuar nga prerja e drurëve dhe zjarret. Agjencia e lajmeve “Reuters” ka shkruar sot për përpjekjet për të ndalur shpyllëzimin e Kosovës.

Ambientalistët kanë thënë se shpyllëzimi, i nxitur nga kërkesa e madhe për ngrohtoret me drunj, është duke rrezikuar botën e egër, siç janë arinjtë e murrmë, rrëqebullin, dhitë e egra, drerët. Dendësia e këtyre kafshëve është duke u tkurrur në Kosovë.

Një studim i organizatës joqeveritare, Sustainability Lidership Kosova (SLK), thotë se Kosova është duke humbur çdo vit nga 700 hektarë pyje.

SLK-ja ka bashkëpunuar me kompaninë kroate Project 02 për të lëshuar fara nga dronët, proces që është pesë herë më i shpejtë sesa mbjellja nga dora e njeriut dhe që mund të arrijë më me shpejtësi te zonat më të largëta.

“Duhet të bëjmë diçka tani, pyjet tona po shkatërrohen”, thotë themeluesja e SLK-së, Indira Kartallozi në fshatin Butovc.

“Sot kemi lëshuar 500 topa me fara të ndryshme dhe ky është vetëm fillimi para se të nisim me pyllëzimin masiv gjatë vjeshtës”, shton ajo.

Kjo teknikë me dronë është përdorur më parë në Shtetet e Bashkuara, Brazil, Afrikë dhe Evropë. Është mënyrë për të luftuar shpyllëzimin e shpejtë. Programi për Ambientin i Kombeve të Bashkuara vlerëson se pyje me madhësi sa territori i Portugalisë po humben çdo vit në botë.

Droni për çdo fluturim mbushet me 100 topa të vegjël që përbëhen nga farat dhe përzierje të baltës, rërës, biomasës dhe përbërës të tjerë me minerale të pasura që mbrojnë farat nga insektet dhe brejtësit.

Një dron mund të mbjellë 1 hektar brenda dy orësh dhe për këtë duhen deri në 5 mijë topa, varësisht prej llojit të farës.

“Përparësia është se mund të mbjellim në çdo terren, sidomos atje ku nuk mund të preket nga dora e njeriut”, thotë ekspertja Lara Vukashoviq nga Project 02.

Ajo thotë se rreth 25 deri në 30 për qind e farave mbijnë, kështu që u duhet të mbjellin tre herë më shumë sesa kërkohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d