Kosova mund të mbetet jashtë procesit të Berlinit nëse nuk reflekton në kërkesën që Manuel Sarrazin i’a bëri për përfaqësimin e saj në CEFTA.
Një mundësi të tillë e përmendi edhe vet emisari gjerman, i cili po kërkon heqjen e ndalesës së importit të mallrave serbe, si masë e sigurisë. Brenda më pak se 10 ditësh, përfaqësuesi i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin vizitoi dy herë Kosovën.
Herën e dytë foli në publik për vendimmarrjen në CEFTA, që është bllokuar për shkak të mospajtimeve të Kosovës në lidhje me përfaqësimin e saj në këtë mekanizëm.
Ani pse duket që Kosova arriti një marrëveshje me Sarrazin në lidhje me këtë aspekt, kushti i Serbisë ndaj Kosovës për heqjen e ndalimit të importit të mallrave serbe, bllokoi prapë këtë marrëveshje.
Kështu, kishte thënë amabasadori gjerman në Kosovë Jorn Rohde që me anë të një postimi në platformën X tha se ka tërhequr vërejtjen se nëse është e nevojshme do të vazhdohet pa Kosovën në këtë proces.
Jeton Zulfaj, këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në samitin që do të mbahet me 14 tetor, është e rëndësishme të ketë rezultate konkrete drejt synimeve të Procesit të Berlinit.
Duke folur për kritikat e emisarit special gjerman ndaj Kosovës në lidhje me CEFTA-n, Zulfaj thotë se Kosova është treguar konstruktive në këtë proces duke kontribuar për një zgjidhje kompromisi.
“Procesi i Berlinit nuk ka një listë të gjërave që janë vetëm në proces, por merr nga iniciativat e ndryshme, duke përfshirë edhe ato që janë në kuadër të tregut të përbashkët rajonal, por ndonjëherë kontribuon edhe në zgjidhjet e çështjeve bilaterale… Besoj se në këtë drejtim është deklarata e Sarrazin që lidhet me vendimet që udhët t’i marrin në CEFTA, ku shumica e tregut të përbashkët rajonal varet nga mënyra sesi funksionon CEFTA… Ka të bëjë me vendime që janë në CEFTA dhe janë një listë që po presin vendimmarrje”, tha ai.
Për të koordinuar agjendën e samitit në tetor, emisari gjerman Sarrazin ka qëndruar javën e kaluar dhe këtë javë në vendet e rajonit dhe në Kosovë.