Kontrata skadon sot, por ministria thotë se “S’do të ndërpritet furnizimi me ushqim i pjesëtarëve të FSK-së”

 

 

Kontrata aktuale që ka Ministria e Mbrojtjes për furnizim me ushqim për pjesëtarët e FSK-së skadon më 30.09.2024.

Megjithatë, Liridona Gashi, këshilltare politike e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se kontrata është aktive edhe sot dhe do të vazhdojnë me shërbimin e njëjtë.

“Nuk do të ndërpritet furnizimi me ushqim i pjesëtarëve”, tha Gashi për rtv21.

Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.

Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.

Arsyetimi që Ministria e Mbrojtjes ka dhënë për hapjen e këtyre tenderëve përmes procedurës së negociuar dhe jo asaj të hapur, ishte se ka qenë e pamundur për ministrinë që brenda afateve kohore të zhvillojë një procedurë të hapur.

Sipas tyre, nevoja urgjente për furnizim me ushqim dhe për shkak që procedura e hapur shkaktonte vonesa, ministria ka zgjedhur një mënyrë më të shpejtë për t’u furnizuar me ushqim për ushtarët e FSK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d