KEDS njofton se është nënshkruar kontrata me Elektrosever, e cila ka për qëllim normalizimin e shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike në komunat Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore.
Kjo kontratë përkon me ligjin e Kosovës dhe kornizën rregullative, në përputhje me Marrëveshjet në lidhje me Energjinë të datës 8 shtator 2013 (“Marrëveshjet e Energjisë 2013”) dhe Konkluzionet e Lehtësuesit të BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Energjisë të vitit 2013, të datës 25 gusht 2015 (“ Marrëveshjet për Energjinë të vitit 2015”), si dhe Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve Energjetike të 21 qershorit 2022.
“Ky proces i zgjatur ka qenë shumë delikat dhe sfidues për tërë sistemin energjetik në Kosovë, dhe ne jemi të kënaqur që kemi arritur këtë moment historik.
Urime të gjitha palëve të përfshira që kontribuuan në realizimin e kësaj arritjeje. Tani, KEDS-i pret bashkëpunimin me Elektroseverin, i cili do të jetë sukses kyç për shërbimet e shpërndarjes dhe investimeve në komunat e lartpërmendura” thuhet në njoftimin e KEDS./Prishtina Sot/