Kontrata Elektrosever-KEDS një hap drejt normalizimit Kosovë-Serbi

 

 

Zyrtarët e qeverisë së Kosovës dhe ambasadorët e vendeve të QUINT-it e përshëndetën nënshkrimin e kontratës ndërmjet kompanisë së krijuar (Elektrosever), dhe kompanisë kosovare për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike (KEDS).

Me këtë shënohet edhe zbatimi i një marrëveshje të mëhershme Kosovë-Serbi për pagesën e energjisë elektrike në veri, marrëveshje kjo e arritur në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, nënshkrimin e kontratës e quajti një hap tjetër drejt normalizimit të furnizimit me rrymë dhe lëshimit të faturave për qytetarët në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Më shumë se 1 vit pas dakordimit mbi udhërrëfyesin e pasi që pala jonë i përmbushi menjëherë obligimet e saj që derivojnë nga marrëveshja, Elektrosever pranoi ta nënshkruajë kontratën. Operimi edhe në veri, do të ndodhë brenda kornizës ligjore e rregullative të Republikës së Kosovës, ashtu siç në të gjithë territorin e vendit tonë”, shkroi Bislimi në rrjetin Facebook.

Serbët e veriut të Kosovës që nga përfundimi i luftës nuk paguajnë faturat e energjisë elektrike që shpenzojnë ata. Kjo humbje është mbuluar me faturat e qytetarëve nga e gjithë Kosova që paguajnë energjinë. Ndërsa nga viti 2017 kjo pagesë bëhet nga qeveria e Kosovës.

Kontrata – hap i rëndësishëm

I ngarkuari i BE-së për dialogut Mirosllav Lajçak, dhe vet BE-ja, nënshkrimin e kontratës Eletrosever-KEDS e cilësuan si një “hap të rëndësishëm në zbatimin e Hartës së Energjisë së lehtësuar nga BE-ja dhe nënkupton përparim në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde shkroi se “ky është një lajm vërtet i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme”.

Edhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, shkroi se “e mirëpres këtë progres të rëndësishëm në zbatimin e udhërrëfyesit të energjisë”.

Kompania e themeluar Elektrosever është pronë e kompanisë energjetike të Serbisë EPS (Elektroprivreda Srbije).

Ajo e mori licencën për operim nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) më 24 qershor. Marrëveshja për energjinë ishte arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013. Por nga ajo kohë nuk u zbatua.

Më 21 qershor, Kosova dhe Serbia e nënshkruan një udhërrëfyes për zbatimin e Marrëveshjes për Energji. Ky udhërrëfyes nuk është zbatuar deri tani dhe sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, që njëherësh është edhe kryengociator në dialog me Serbinë, “tani është koha të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vjetëve ilegalitetit në mospagesë të rrymës në veri.

Vazhdimi i dialogut

I ngarkuari i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak, gjatë ditëve të fundit, tha se ka qenë i angazhuar me diskutime në Bruksel së bashku me ekipin e tij duke u përgatitur siç thotë, “për diskutimet e ardhshme të ndara me kryenegociatorët e të dyja palëve Kosovë-Serbi”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se “të hënën në Bruksel bisedoi me zotin Lajçak, për marrëveshjet e arritura mes dy vendeve deri tani, në veçanti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”.

“Një ekip ekspertësh nga Beogradi mori pjesë në bisedimet për formimin e Asociacionit të kokmunave me shumicë serbe në Kosovë dhe hartimin e draft-statutit të tij”, shkroi Petkoviq në platformën X.

Propozimi i BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, iu dorëzua kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, më 21 tetor.

Kryeministri Kurti tha se “draft-statuti për themelimin e Asociacionit është i pranueshëm, sepse është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Edhe autoritet e Beogradit, thanë se propozimi i BE-së për Asociacionin është i pranueshëm dhe në përputhje me marrëveshjet e arritura më parë në kuadër të dialogut me Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d