Me kërkesë të prokurorisë së Shkodrës gjykata e këtij qyteti ka vendosur sekuestro ndaj pasurive dhe bizneseve të shtetasit Ago Gjolaj. Në deklaratë thuhet se u bllokua kompania B.M sh.p.k e cila në faqen e saj reklamon edhe një pije energjike, 8S2, si dhe importin e disa pijeve të tjera
Po ashtu bëhet e ditur se hetimi për pastrim të parave ka nisur fillimisht në korrik të vitit 2017 referuar nga policia e shtetit me dyshimin e kontrabandimit të mallrave si dhe si pjesëmarrës në grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike.
Më tej shtohet se Ago Gjolaj së bashku me dy vëllezërit e tij janë hetuar disa herë nga autoritet shqiptare madje edhe janë dënuar për vepra penale të ndryshme ndaj janë ngritur dyshime të arsyeshme se pasuritë e tij dhe të familjarëve nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike me të ardhura të ligjshme.
Ndërkaq në vitin 2020 Zyra Kombëtare Interpol Tirana kanë informuar se autoritetet e Malit të Zi kanë qenë duke hetuar shtetasen shqiptare S.Gj, subjekt i lidhur me shtetasin Ago Gjolaj pasi ka nënshkruar një kontratë për blerjen e një jahti luksoz me vlerë 300,000 euro te një shtetasi malazez i përfshirë në veprimtari kriminale dhe pastrim parash.
Veç kompanisë B.M sh.p.k janë sekuestruar edhe show roomi me sipërfaqe 199 m2 si dhe 97 automjetet e subjektit. Në administrim të shtetit kalojnë të gjithë llogaritë bankare si të Gjolajt ashtu edhe të kompanisë.
Gjithsesi bëhet e ditur se nga ana e Prokurorisë po vazhdojnë hetimet për evidentimin dhe sekuestrimin e pasurive të tjera me origjinë kriminale, si dhe dorëzimin e tyre përfaqësuesve të Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuar.