Konjufca siguron ambasadorin amerikan: Situata nuk tensionohet për shkak të dinarit

 

 

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka komentuar deklaratën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i cili tha dje se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për qarkullimin e vetëm një valute – euros – mund të shkaktojë tensione.

Në një prononcim për media pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Konjufca ka siguruar Hovenierin se situata në veri nuk del jashtë kontrollit vetëm pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë.

“Shqetësimi ishte që mund të ketë turbulenca për shkak të këtij vendimi. Ne i sigurojmë se kjo nuk do të ndodhë dhe që siguria do t’u ofrohet të gjithëve. Situata nuk del prej kontrollit pse dinari është hequr nga përdorimi si valutë”, ka theksuar ai.

Konjufca ka shtuar se dinari dhe shfrytëzimi i tij është dashur të ndërpritet kur Serbia është larguar nga Kosova më 1999, dhe kur sipas ligjeve dinari njihej ilegal. Ai ka deklaruar se ka pasur mundësi që para vendimit të jepej një afat kohor.

“Nëse thoni se është dashur t’i mbledhim bashkësinë ndërkombëtare dhe t’ju tregojmë paraprakisht për këtë veprim, është temë tjetër. Ndoshta ka mundur të jepet ndonjë afat kohor, për shembull dymujor më herët që të ketë përgatitje, por kjo është konsideruar çështje që nga ana e Qeverisë dhe BQK-së një çështje që nuk do të shkaktojë probleme dhe turbulenca sepse ligji është i shkruar. E vetmja çështje ka qenë që institucionet të marrin masa për rregulloret e shkruara”, ka thënë tutje ai.

Konjufca u shpreh se nuk beson që Kosova do të sanksionohet për shkak të valutës.

“Nuk besoj që do ketë sanksione ndërkombëtare për Kosovën për këtë çështje. Vërejtjet që janë nuk kanë lidhje me ligjshmërinë e saj, është mungesa e një afati të nevojshëm kohor për konsultime paraprake mes bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të Kosovës”, ka theksuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d