Kompensimi për rrymën në veri, Kushtetuesja nxjerrë aktgjykim për kërkesën e ZRrE-së

 

 

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Republikës së Kosovës, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të 9 marsit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, lidhur me çështjen e kompensimit për rrymën në veri, raporton Gazeta Prishtina Sot.

Në njoftim thuhet se gjykata konstatoi që: “(i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) Aktgjykimi [Arj.nr.116/2022] i 9 marsit 2023 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces te rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e Avokatit të Popullit për anulimin si të kundërligjshëm të Vendimit të 6 shkurtit 2012 të Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”, si dhe kërkesën për kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës.

Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë lidhej me aktgjykimin e Supremes, përmes të cilit iu dha të drejtë qytetarëve për të kërkuar kompensim për faturimin që u është bërë për disa vite për rrymën e shpenzuar në katër komunat veriore.

Ndërsa Avokati i Popullit kishte ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, i cili ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore për qytetarët që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.

“Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me padinë e Avokatit të Popullit (i) për anulimin si të kundërligjshëm të Vendimit të 6 shkurtit 2012 të Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”; si dhe (ii) kërkesën për kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës. Avokati i Popullit para gjykatave të rregullta kishte pretenduar, ndër tjerash, që (i) faturimi i energjisë elektrike të shpenzuar në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët e tjerë që banojnë në komunat tjera të Republikës së Kosovës, paraqet shkelje të Ligjit nr.05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë dhe Ligjit nr.05/L-085 për Energjinë Elektrike; dhe (ii) kjo praktikë e faturimit paraqet shkelje të së drejtës në pronë të garantuar me nenin 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës dhe shkelje të së drejtës për barazi para ligjit të garantuar me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës.

Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm Vendimin e lartcekur të Zyrës për Rregullatorin për Energji dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës për periudhën 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, në vlerën prej dyzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë euro (40.855.480.00 EUR). Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe Ligjit nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi, sepse nuk ka pasur qëllim legjitim dhe proporcionalitet ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar.

Parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Zyra e Rregullatorit për Energji, para Gjykatës kontestoi vendimmarrjen e gjykatave të rregullta, duke pretenduar që të njëjtat janë nxjerrë në shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i (i) zbatimit qartazi të gabuar të ligjit; si dhe (ii) mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Zyrës për Rregullatorin për Energji, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me (i) interpretimin qartazi të gabuar të ligjit; si dhe (ii) të drejtës për vendim të arsyetuar gjyqësor, siç garantohen me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe më pas (ii) i zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, gjykatat e rregullta kishin marrë parasysh dhe vlerësuar pretendimet thelbësore të parashtruesit të kërkesës dhe duke u referuar në dispozitat kushtetuese dhe ato të ligjeve të aplikueshme, përfshirë (i) nenet 4 (Të drejtat e konsumatorit) dhe 12 (Fatura) të Ligjit nr.04/L-121 për Mbrojtjen e Konsumatorit, të cilat garantojnë të drejtat themelore të konsumatorit, e ku përfshihet edhe e drejta e mbrojtjes së interesave ekonomike të konsumatorit dhe e drejta për të mbrojtur pronën, si dhe (ii) nenin 194 (Rregullat e përgjithshme) të Ligjit nr.04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve për sa i përket pasurimit të pabazë dhe detyrimit të parashtruesit të kërkesës që të bëjë kompensimin e dëmit për konsumatorët të cilët janë faturuar për shpenzimin e rrymës në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, përgjatë periudhës 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, kishin konstatuar që një praktikë e tillë e faturimit nuk është e autorizuar me ligj dhe konsiston në trajtim jo të barabartë të qytetarëve të katër (4) komuna në raport me qytetarët në pjesën tjetër të Republikës së Kosovës.

Në vijim, për sa i përket ndërlidhjes së pretendimeve të Zyrës për Rregullatorin për Energji me të gjeturat e Gjykatës në Aktgjykimin KO93/21, me parashtrues Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë, Aktgjykimi sqaron që ky rast dallon në mënyrë përmbajtjesore nga rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, sepse në rastin KO93/21, Gjykata kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e Rekomandimeve [Nr.08-R-01] të 6 majit 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas të cilave (i) ishte autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) ishte detyruar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin KO93/21, Gjykata, kishte konstatuar që akti i kontestuar i Kuvendit nuk është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kushtetutës, ndër tjerash, sepse dallimi në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në bazë të vendbanimit, (i) ndjekte qëllimin legjitim të zbatimit të marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike; dhe (ii) ishte i natyrës së përkohshme. Marrë parasysh dispozitat ligjore, qëllimin legjitim dhe përkohshmërinë e aktit të kontestuar të Kuvendit, përfshirë detyrimin e Qeverisë që të adresojë çështjet që ndërlidhen me sistemin përkatës të faturimit, Gjykata kishte vlerësuar që i njëjti ishte proporcional me qëllimin e ndjekur.” – thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se “Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

%d