Kompania që ka sjellë në Kosovë trupin e pajetë të Faton Hajrizit, nuk është lejuar ta hapë arkivolin ku mbahej kufoma.
Avni Elezi nga kompania “Funeral”, ka thënë se trupi i pajetë i Hajrizit nuk është mirëmbajtur nga morgu ku kufoma ka qëndruar për gati 3 javë. Në një intervistë për T7, pak minuta pas hyrjes në territorin e Kosovës, Elezi ka thënë se autoritetet në Serbi nuk kanë lejuar hapjen e arkivolit.
“Nuk e kanë pas mundësinë me e hap, nuk na kanë leju me e hap në asnjë mënyrë arkivolin e Fatonit. Gjendja e arkivolit është e mbyllur hermetikisht është arkivol i metalt brenda ku nuk ka mundësi mu pa trupi e as mu prek. Nuk këna pas mundësi me e hap absolutisht. Nuk kemi mujtë me vërejt diçka, sepse arkivoli ka qenë hermetikisht i mbyllur”, ka thënë Elezi.
Ky i fundit ka thënë se trupi i Fatonit mund të jetë dëmtuar për shkak se në morg nuk është mirëmbajtur siç duhet.
“Krejt varet si mirëmbahet në morg, nëse i bahet balsamimi nuk ka probleme, por në këtë rast nuk është bërë. I bie që trupi mundet me kanë i dëmtuar mund të ketë erë, të jetë trupi i nxirë”, ka thënë Elezi.