Më 11 korrik 2020, në Klinikën Infektive kishin vdekur gjashtë pacientë brenda pak orëve në rrethana të dyshimta. Fillimisht, i gjithë dyshimi ishte tek furnizimi i sistemit më oksigjen. Kompania që e mirëmbante oksigjenin “Ego Elsa” është rikthyer përsëri në QKUK.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës e ka shpërblyer me një tender mbi 80 mijë euro kompaninë “Ego Elsa” për servisimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të klimatizimit me ventilim, si dhe furnizimit dhe instalimit të filtrave të ajrit dhe hepafiltrave – KOGJ, Onkologji dhe Njësi Koronare, Mjekimi Intenziv dhe Klinika Infektive, si dhe Klinika e Kirurgjisë me Laparaskopi.
Tenderi ka qenë i ndarë në katër pjesë (lote). Në garë kanë qenë tri kompani për të gjitha lotet. Të katërtat i ka fituar kompania “Ego Elsa”, e cila rrjedhimisht do të nënshkruajë katër kontrata.
Lot 1 peshon 10,864.00 euro, lot II 30,057.00 euro, lot III 23,294.00 euro dhe lot IV, 18,667.00 euro. E gjithë vlera sillet në rreth 83 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, në vitin 2020 kishte nisur hetimet lidhur me dyshimet për vdekjet e pacientëve me COVID-19, që kanë ndodhur në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare (QKUK).
Edhe Policia e Kosovës kishte njoftuar se po hetonte vdekjen e gjashtë personave në Klinikën Infektive në Prishtinë. Në raportin policor thuhej se “me vendimin e prokurorit, trupat e pa jetë të viktimave dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion. Rasti është duke u hetuar”.
Dyshimet nga stafi mjeksor ishin për prishjen e sistemit të oksigjenit.
Sipas raportit, ky rast është raportuar në orën 01:00 të datës 5 korrik.
MSH kërkonte përmbajtje deri në zbulimin e shkakut të vdekjeve në QKUK.
“Me qëllim që të zbardhet çdo dyshim rreth natyrës së vdekjes së tyre, MSH dhe SHSKUK u bëjnë thirrje publikut dhe të gjithëve që të përmbahen nga konkludimet e parakohshme dhe t’u japin kohën e duhur institucioneve përgjegjëse për ta bërë analizën e shkaqeve të vdekjeve dhe të nxjerrin përfundimet meritore”, ishte theksuar në komunikatë.
Në tetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore e Prishtinës i kishte mbyllur hetimet për vdekjet e dyshimta në Klinikën Infektive të QKUK-së
Lajmin e kishte konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Laureta Ulaj.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda, pas zhvillimit të hetimeve dhe trajtimit të rastit në fjalë, më 11.10.2021, e ka mbyllur këtë rast. Nga raportet e autopsisë, gjashtë vdekjet e dyshimta kanë rezultuar se kanë qenë vdekje të natyrshme dhe të njëjtit kanë qenë të infektuar me COVID-19“, kishte thënë Ulaj.
Kujtojmë që në mëngjesin e 5 korrikut të vitit 2020, në Klinikën Infektive në QKUK ishin raportuar disa vdekje të dyshimta për shkak të COVID-19. Në mesnatën në mes të shtunës (04.07.2020) dhe së dielës, tre pacientë në interval të shkurtër kohor kishin vdekur. Duke e parë situatën, mjeku kujdestar, kishte lajmëruar policinë. Me vendim të prokurorit, trupat e pajetë të viktimave ishin dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për Obduksion.
Dyshimet për shkakun e vdekjes së pacientëve me Covid-19, besohet se u ngritën për shkak se vdekjet ndodhën brenda një harku të shkurtër kohor.
Në Klinikën Infektive nuk ka pasur shtypje të mjaftueshme në sistemin e oksigjenit. Ky është konstatimi i kompanisë “Ego Elsa”, e cila kishte kontratë me QKUK-në për mirëmbajtjen e sistemit të oksigjenit. /Prishtina Sot/